Sëmundjet e verës, dominojnë gastroenteritet! Njerëzit interesohen për linë e majmunëve se si duhet të mbrohen

17/08/2024 17:47

Në Europë është rritur alarmi pasi lija e majmunëve shënoi një të prekur në Suedi.

Por, edhe pse nuk ka raste në vendin tonë dhe as në vendet fqinje me ne, qytetarët të cilët kanë kontakt me mjekun, kanë nisur të interesohen, nisur kjo edh nga frika e pandemisë së kaluar, e cila erdhi nga Kina e largët.

“Interesi i pacientëve është gjithmonë i madh, sidomos kur bëhet fjalë për pandemi apo viroza, për të cilat flitet shumë nëpër rrjetet sociale. Na pyesin a ka raste, cilat janë simptomat, si duhet të ruhemi, çfarë kujdesi duhet të bëjmë. Ne mundohemi të japim këshilla për çdo lloj virozë, jo vetëm për linë e majmunit. Këshilla më e vlefshme është higjiena, jo vetëm ajo personale, por edhe e ushqimeve që ne konsumojmë”, shpjegon drejtori i Qendrës Spitalore Nr.5, Mirgen Zaçellari.

Sipas mjekut, në këtë periudhë, predominojnë gastroenteritet te qytetarët, si në moshat pediatrike dhe te të rriturit.

“Rastet e shtuara deri para një muaj me Covid pozitiv, tani janë në rënie. Gjithsesi, viroza ka. Më të shpeshtat janë ato gastroenteritet, që manifestohen dhe te të rriturit, edhe te fëmijë. Janë menaxhuar këtu, kanë marrë trajtime ambulatore në shtëpi. Mund të manifestohen me 3-4 ditë temperaturë, me një debulesë trupore dhe pastaj janë stabilizuar”, thotë Zaçellari.

Mjekët thonë se qytetarët nuk duhet të alarmohen, por thjesht të respektojnë kushtet e higjienës. Lija e majmunëve nuk është hera e parë që shfaqet, pasi në Afrikë ka pasur gjithmonë raste, por këtë vit OBSH e ka në fokusin e saj, për shkak se ka rritje të rasteve më shumë se një vit më parë. Kjo sëmundje përhapet nga njeriu te njeriu, por nëpërmjet kontakteve të ngushta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA