Pas më shumë se 20 vitesh emigrim në Greqi, katër vëllezër vendosën të investojnë në mbjelljen e 40 dynymëve me bajame dhe shege, në vendlindjen e tyre në Kurjan të Roskovecit.
Ndryshe nga një vit më parë, kur arritën të prodhojnë 25 kuintalë bajame të cilat i shitën në tregun vendas me një çmim të kënaqshëm, këtë vit u përballën me vështirësi të shumta.
“Ne kemi hapur një pus me shpenzimet tona për vaditjen e pemëve”, tregon njëri prej vëllezërve. “Por nuk kemi energji elektrike dhe transporti i gjeneratorit është i pamundur në këtë rrugë”, shton ai.
Megjithëse toka ndodhet vetëm 1 km larg nga shtëpia, ata janë të detyruar të përshkojnë një rrugë prej 13 km për t’u shërbyer pemëve.
Prej disa vitesh, ata kanë marrë premtime për hapjen e një rruge bujqësore dhe lidhjen e energjisë elektrike, e cila do të ndihmonte të gjithë fermerët e zonës, por deri tani asgjë nuk është bërë. Të zhgënjyer dhe të lodhur nga premtimet e pushtetit lokal vëllezërit Bilbil, Demir, Agron dhe Durim Gega thonë se do të braktisin pemëtarinë, pavarësisht se aty kanë investuar të gjitha kursimet e tyre të fituara nga puna në emigrim.
Top Channel