Ndryshon ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit duke përfshirë tanimë edhe format e reja të duhanpirjes siç janë Snusi, Vape, cigaret elektronike apo produktet të tjera për të cilat deri më tani nuk kishte sanksione.
Trendi më i fundit i të rinjve përveç cigareve elektronike ishte shndërruar Snusi, i cili shitej edhe pranë shkollave dhe nxënësit e mbanin atë edhe gjatë orës së mësimit pasi ishte e vështire të identifikohej si nga mësuesi edhe nga prindërit për shkak se nuk lëshon aromë, por që përmban nikotinë.
Me një nen të posaçëm tanimë ndalohet hedhja në treg e këtij produkti.
Produktet e reja të duhanit në vendin tonë konsumohen më së shumti nga të rinjtë por me ligjin e ri subjektet janë të ndaluar t’u shesin personave nën 18 këto produkte si vape, shisha apo forma të tjera. Ndërkohë që të gjitha këto produkte ndalohet tanimë të shiten nga tregtaret ambulantë nëpër rrugë apo nëpër makineta apo nëpërmjet shërbimit postar me blerje online.
Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produkte të duhanit ndalon reklamimin e çdo lloj produkti duhani. Tanimë nuk do të lejohet që nëpër evente artistike, koncerte të shfaqen reklama të duhanit apo produkteve të tij të reja, banderola apo logo por as të rinj që u bëjnë reklame produkteve të duhanit që i ofrojnë ato falas.
Për subjektet që kapen në shkelje të këtij ligji përveç konfiskimit të produkteve ndëshkohen me gjobë 200 mijë lekë të reja herën e parë e më pas kjo gjobë shkon në 500 mijë lekë. Ky ligj i sapo botuar në fletoren zyrtare pritet të nisë zbatimin në muajin shtator
Top Channel