Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e një dite më parë në Ferizaj, ku dyshohet se një polic hapi zjarr ndaj një 89 vjecari duke e lënë të vdekur në vend.
Efektivi në ato momente, ka qenë jashtë shërbimit, pohojnë burime policore të cituara nga mediat në Prishtinë. Sipas tyre, autori i dyshuar i ngjarjes është vetëdorëzuar tashmë, ndërsa si prokuroria ashtu edhe Inspektorati Policor i Kosovës janë duke kryer procedurat përkatese.
Viktima është identifikuar si i afërm i Prindon Sadriut, bashkëshorti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Polici Festim Ramadani mendohet se e kreu vrasjen me armën e shërbimit. Ai tashmë është nën arrest dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Nuk ka ende sakaq të dhëna mbi arsyen e gjestit të tij ekstrem: Thuhet vetëm se efektivi ka shkuar në lokal e ka hapur zjarr në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë. Paskësaj, polici ka shkuar vetë në komisariat ku ka dorëzuar edhe armën. Dyshimet e para nga sa u pohua që në fillim, ishte se vrasja nuk ka qenë aspak aksidentale, por e qëllimshme.
Top Channel