“Autoritetet lokale të jenë në gatishmëri”, drejtori i Emergjencave Civile reagon për situatën e zjarreve në vend, Çako: 10 vatra ende aktive

17/08/2024 13:29

Në një deklaratë për mediat, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje.

Gjatë ditës së sotme, strukturat Operacionale në nivel vendor dhe qendror, mbështetur edhe me ndërhyrje nga ajri nga ekipi rumun janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit, ndërsa tha se vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.

Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë. Forca Ajrore me efektivët dhe mjetet janë në gatishmëri të plotë.

“Vlerësojmë punën e bërë deri tani nga bashkitë e prekura nga zjarret dhe u kërkojmë të angazhohen maksimalisht, të informojnë publikun dhe komunitetin e rrezikuar, të sigurojnë funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre si dhe të informojnë në kohë Prefektin e

Qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatat e zjarreve. I ftojmë gjithashtu të bashkëpunojnë me bashkitë fqinje, duke angazhuar kapacitetet në përballimin e zjarreve. U kërkojmë autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret”, u shpreh Çako.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të vijojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sipas rastit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA