EMRI/ “Gjobë” 20 mijë euro pronarit të lokalit në Durrës, arrestohet shefi i Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve, si u zbulua shantazhi  

15/08/2024 21:30

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), pas hetimeve intensive të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Kryekomisar Gazmir Preçi, me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke aplikuar metoda speciale, si rezultat i të cilave u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit.

Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA