VIDEO/ Momenti kur Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj ekstradohen nga Dubai, policia informacion zyrtar

14/08/2024 14:00

Policia ka reaguar zyrtarisht për ekstradimin e dy të shumëkërkuarve Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më 26 shkurt të vitit 2005 në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.

Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.
Ndërsa shtetasi Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 1 nëntor 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe A. N. dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

Gjithashtu, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania” me “Fast Gjermani” është bërë e mundur kapja me qëllim ekstradimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Fabio Ballabani.

Me vendim të Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Fabio Ballabanit është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA