Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se ekzekutivi i tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e shumëdiskutuar të urës mbi lumin Ibër në veri.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë. Por ndërsa rihapja e urës në Mitrovicë, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri, është kundërshtuar nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare, kjo e undit ka insistuar në mënyrë të veçantë ta përshkruajë si një veprim të njëanshëm e të pakoordinuar me të.
Departamenti amerikan i Shtetit e përforëcoi sot përmes një deklarate qëndrimin e Washingtonit se nuk mbështet asnjë ndryshim në statusin aktual të Urës se Ibrit. “Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha një zëdhënës i DASH, i cituar nga mediat në Prishtinë.
Departamenti për më tepër i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “veprimet e njëanshme dhe në vend të kësaj ta trajtojë çështjen brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës të mos e ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar e të njëanshëm”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ky qëndrim përputhet me atë të partnerëve të QUINT-it, si dhe me BE-në dhe NATO-n.
Top Channel