Trump akuzon Iranin për sulm kibernetik/ FBI nis hetimet pasi ekipi i kandidatit republikan u godit nga hakerat

13/08/2024 07:31

FBI tha të hënën se po kryen hetime pasi ekipi i fushatës i ish-Presidentit Donald Trump tha se ishin vjedhur dokumente të ndjeshme të fushatës, disa ditë pasi fushata akuzoi për një sulm kibernetik nga Irani.

FBI-ja lëshoi një deklaratë të shkurtër ku thuhej: “Ne mund të konfirmojmë se FBI po e heton këtë çështje”.

Ekipi i kandidatit republikan nuk dha prova konkrete të përfshirjes së Iranit, por pretendimi erdhi menjëherë pasi Microsoft lëshoi një raport që detajonte përpjekjet e agjentëve të huaj për të ndërhyrë në fushatën presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Në raport përmendej një rast në qershor kur një njësi e zbulimit ushtarak iranian i kishte dërguar një virus në formën e “një emaili ndaj një zyrtari të lartë të një ekipi të një fushate presidenciale nga një llogari emaili e komprometuar e një ish-këshilltari të lartë.”

I pyetur mbi pretendimin e ekipit të Trump, misioni i Iranit në OKB mohoi që Teherani të ishte i përfshirë.

FBI po heton gjithashtu lidhur me një ndërhyrje të mundshme ndaj këshilltarëve të ekipit të fushatës së Presidentit Joe Biden dhe nënpresidentes Kamala Harris, njoftoi të hënën gazeta Washington Post.

FBI e filloi hetimin për këtë ndërhyrje të mundshme në qershor, kur zoti Biden nuk ishte tërhequr nga kandidimi për një mandat të dytë, nën dyshimin se Irani qëndronte pas përpjekjeve për të vjedhur informacion nga dy fushatat presidenciale në Shtetet e Bashkuara, thotë gazeta duke cituar disa burime.

Ekipi i fushatës së Harris nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA