Chermen Valiev dhe Islam Dudaev ishin dy heronjtë e Shqipërisë në këto Lojëra Olimpike.
Dy mundësit e huaj, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në Paris, arritën të fitonin dy medalje të bronzta në mundje, në peshat 65 dhe 74 kg.
Pas arritjes historike për Shqipërinë, mundësit, së bashku me delegacionin olimpik u pritën në Tiranë nga kryebashkiaku, Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ndihet krenar për këtë moment historik për Shqipërinë. Ai theksoi se vetëm duke bashkëpunuar dhe duke punuar arrihen rezultate të tilla historike.
“Sportistët tanë të Sport Klub Tiranës sollën dy medalje të parat për klubin, por mbi të gjitha jam si shqiptar shumë i lumtur që janë dy medaljet e para për Shqipërinë. Falenderoj dy djemtë, dy atletët tanë. Faleminderit nga zemra që na bëtë krenarë dy herë, me flamurin e Shqipërisë dhe me flamurin e Tiranës, Sport Klub Tiranës që është thelbi i ekipit tonë olimpik. Mirënjohje për për Fidelin. Kur ne shqiptarët bashkëpunojmë, ne bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, të mrekullueshme. Bashkimi vërtet solli fuqinë. Bashkuam një energji të jashtëzakonshme të qeverisë, të Bashkisë për të mbështetur Komitetin Olimpik, për të bërë një lojë në skuadër, ku secili ndihmon, secili jep të vetën. Jam vërtet krenar për çfarë kemi bërë. Më duhet të them që stërvitja për Los Angeles-2028 fillon sot. Kështu që do përveshim mëngët, pas këtyre festimeve dhe ceremonive, për t’u siguruar që dalim akoma më mirë, që jemi akoma më të fortë dhe për t’u siguruar që bashkëpunojmë shumë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha edhe dy fjalë për ata që e kanë të vështirë ta pranojnë suksesin duke menduar se është individual.
“Është sukses për Shqipërinë, nuk është individual. Patjetër që, çunat e kanë medaljen individuale, por ky është një sukses për Shqipërinë. Është ngritur dy herë flamuri ynë në Paris. Për të gjithë këto arsye, çdo cic-mic i vogël i politikës, i debateve të kafeneve, është pa vlerë, kur ne shohim flamurin tonë që është ngritur lart. Për të gjithë njerëzit kam një thirrje: Sot, zemrat i kemi mal, i kemi plot, sot jemi plot gëzim e krenari, sepse është ngritur flamuri i Republikës së Shqipërisë dy herë në Paris, në këto Lojëra Olimpike”, tha ai.
Më tej, Veliaj nënvizoi se kjo është Tirana moderne, Tirana e 144 kombësive, Tirana kozmopolitane.
Nga ana e tij presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u shpreh krenar për arritjet e sportistëve të talentuar shqiptarë.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për sportin shqiptar. Shqipëria ka hyrë në listën e gjithë komiteteve olimpike që kanë marrë medalje olimpike në Lojërat Olimpike. Kjo falë dy mundësve tanë të mrekullueshëm, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev që na bënë krenarë, duke ngritur flamurin shqiptar. Atë flamur që të gjithë e kemi ëndërruar që të shkonte në majat më të larta të sportit botëror, në Lojërat Olimpike që është aktiviteti më madhor sportiv. Ne u munduam bashkërisht me Bashkinë e Tiranës, me Qeverinë, me Federatën e Mundjes, për gjithë punën që kanë bërë me këta sportistë dhe që na nderuan. Këta janë gur themeli për të ndërtuar një të ardhme në sportin shqiptar. Të kemi më shumë vëmendje te sporti, sepse ata janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Ylli.
Për presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, kjo ishte një ëndërr e realizuar që bëri gjithë shqiptarët krenarë.
“Është një ëndërr që e kisha ëndërruar të realizoja, por jam po aq krenar me atë që djemtë kanë bërë sot, një medalje që i mungonte Shqipërisë. Përulje për të gjithë ata që nderojnë flamurin tonë Kombëtar dhe na kanë bërë krenarë”, tha Prizreni.
Ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard tha: “Është historike për Shqipërinë. Mundësit që përfaqësuan ekipin olimpik shqiptar morën medaljet e para për Shqipërinë. Mendoj se Parisi i solli fat Shqipërisë për dy medaljet, dhe unë jam krenare”.
Top Channel