Gjermania kthehet “kundër” Izraelit? Scholz paralajmëron Netanjahun: Koha për ujdi!

12/08/2024 09:24

Gjermania është shfaqur përherë si mbështetëse e palëkundur e vendimeve të Izraelit, por tani edhe kancelari Olaf Scholz mendon se është koha për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.

Kreu i ekzekutivit gjerman zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu të cilit i kërkoi hapur vulosjen e një ujdie me Hamasin radikal-islamik. Ka ardhur koha që të finalizohet marrëveshja për lirimin e pengjeve nga dhuna e Hamasit dhe koha për një ndalim të luftimeve në Rripin e Gazës, tha Scholz të dielën, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner në Berlin.

Shumë objektiva ushtarake në luftë kundër Hamasit janë arritur, numri i viktimave civile dhe vuajtja njerëzore në Rripin e Gazës është e jashtëzakonshme. Një fund i luftës në zonën palestineze në Detin Mesdhe “do të ishte një hap vendimtar për uljen rajonale të shkallëzimeve”, është shprehur kancelari gjerman.

Qeveria gjermane dënon nga ana tjetër kërcënimet që vijnë nga Irani, Hizbollahu dhe të tjerë ndaj sigurisë së Izraelit dhe qytetareve e qytetarëve të tij. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Scholz ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e një shpërthimi rajonal të konfliktit. Më shumë se kurrë tani është momenti për t’u angazhuar për ndërprerjen “e spirales destruktive të hakmarrjes, uljen e tensioneve dhe angazhim konstruktiv për çshkallëzim.”

Prej muajsh Katari, Egjipti dhe SHBA përpiqen të negociojnë një armëpushim në Rripin e Gazës dhe të arrijnë lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi. Por së fundi konflikti në Lindjen e Afërt është ashpërsuar më tej. Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Netanjahu është shprehur i gatshëm të vazhdojnë negociatat javën që fillon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA