Pishina olimpike në Durrës/ Qyteti kthen sytë nga noti, rikonstruktohet pishina publike “Taq Dafa”

12/08/2024 15:44

Rikonstruksioni i pishinës publike “Taq Dafa” ka ringjallur traditën e notit dhe ambicien olimpike në Durrës. Kushtet e përmirësuara e kanë kthyer pishinën në një ambient gjithnjë e më tërheqës jo vetëm për notarët profesionistë, por dhe për amatorët.

Gjergj Ngresi, Trajner i klubit Teuta thotë: “Është sporti më i mirë, më i shëndetshëm. Më parë ka pas një rënie interesi, po me rikonstruksionin e pishinës dhe kushtet shumë të mira, masiviteti është më i madh. Janë rreth 100-120 fëmijë që vijnë.”

“Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera shoh interesim të madh nga ana e prindërve që kanë si objektiv që fëmijët e vegjël të mësojnë notin dhe të ndjehen të sigurt në ujë. Kërkesa nga ana e prindërve është shumë e madhe për kurse noti”, thotë trajneri Jurgen Fici.

Sfida e trajnerëve të Teutës është që ta bëjnë sa më të dashur këtë sport për fëmijët duke nxitur kujdesin për shëndetin, sigurinë dhe disiplinën, po dhe duke krijuar një ambient të këndshëm e social për ta. Puna me fëmijët nuk lë pas dore synimet e ekipit mes të cilëve dhe përgatitja e të paktën një notari nga Durrësi që të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në lojërat e ardhshme olimpike.

Fici shton: “Kemi disa elementë që stërviten pranë klubit tonë që premtojnë dhe do të bëjmë të pamundurën që Durrësi të përfaqësohet me një notar në olimpiadën e ardhshme që do të zhvillohet”.

Pishina “Taq Dafa” është e vetmja në Shqipëri që përmbush të gjitha kërkesat për një pishinë olimpike.

“Një pishinë që ka Durrësi por është më e mira. Asnjë pishinë në Tiranë nuk i ka standardet e saj. Kjo është e vetmja pishinë në Shqipëri që plotëson kushtet për të bërë garat e notit”, shprehet trajneri Ngresi.

E ndërsa përgatiten për të ruajtur traditën dhe titullin e Teutës si kampione kombëtare në not, trajnerët punojnë me përkushtim duke dashur ta rikonfirmojnë Durrësin si qendër të rëndësishme për sportin e notit në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA