Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku Egli Proga, 42-vjeçari nga Pogradeci, humbi jetën pas dhunës brutale nga 29-vjeçari Denis Meçe, ngjarje e cila u tentua të fshihej.
Vrasja fillimisht u raportua si aksidentale, ku u tha se Proga humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.
Në njoftim, ata kanë shprehur se janë “të shqetësuar thellë” nga kjo ngjarje, ku “një qytetar humbi jetën në rrethana të dyshimta” dhe njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje. “Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit gjithashtu ka shprehur shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik në Pogradec, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.
“Si institucion i pavarur kushtetues, Avokati i Popillit jo vetëm ka për detyrë të mbrojmë të drejtat e njeriut por edhe të garantojë transparencë dhe drejtësi në çdo rast ku mund të jenë shkelur këto të drejta”, thuhet më tej.
Top Channel