Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor është rikthyer në Durrës për të dytin vit rresht si pjesë e turit ballkanik.
Koncerti u çel me uverturën “Forca e fatit” nga Xhuzepe Verdi.
Nën udhëheqjen artistike dhe dirigjimin e Desar Sulejmanit, 66 artistë nga 17 vende të ndryshme prezantuan pjesë të mirënjohura të muzikës klasike si dhe orkestrime të reja të këngëve më të famshme pop dhe rock nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ka qenë ide e jona që t’i lidhim këto dy stile që të jemi më të hapur ndaj publikut, atij që shijon muzikën klasike dhe atij që do të ndjejë tingujt e muzikës moderne në një orkestër kaq të madhe, siç jemi ne”, tha Desar Sulejmani.
Jo vetëm publiku, por edhe instrumentistët e shijuan koncertin e mbajtur në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
“Ishte kënaqësi të interpretoja përballë këtyre spektatorëve dhe kësaj skene teatri fantastike. E shijova shumë”, u shpreh Maria, Instrumentiste nga Serbia.
“E shijuam shumë. Një koncert me përgatitje të lartë profesionale. Shumë mirënjohës që i dhanë mundësinë qytetit tonë për një shfaqje të tillë”, deklaroi një spektator.
Shqipëria është një nga ndalesat e turit muzikor të Orkestrës që synon të ndërtojë urat e bashkëpunimit dhe miqësisë përmes artit në rajonin e trazuar jo rrallëherë nga konfliktet.
“Ne duam që t’i bashkojmë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt rrugës së tyre të integrimit drejt familjes evropiane. Nëpërmjet muzikës dhe artit të vërtetë dhe lidhjes kulturore do të mundësojmë një rajon më të paqtë të 6 vendeve”, tha Sulejmani.
Pas Durrësit dhe Novi Sadit, Berlini do të jetë ndalesa e fundit e këtij turneu ballkanik me pjesëmarrjen në një nga festivalet ndërkombëtare më të njohura të orkestrave rinore.
Top Channel