Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel, ndërsa i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet.
Stano paralajmëroi se hapja e Urës së Ibrit mund t’i rrisë tensionet në veri.
“BE, së bashku me partnerët e tjerë kyç, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Kurti që të mos vazhdojë me veprime të njëanshme, duke theksuar se çështjet duhet të zgjidhen me dialog. Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit, por fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike”, thotë Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka shprehur shqetësimin për krizën e vazhdueshme në dialogun Beograd-Prishtinë. Ai kritikoi “veprimet e njëanshme”, veçanërisht nga Kosova, siç është mbyllja e postave serbe në veri, të cilat i përshkroi si të dëmshme për komunitetet lokale.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër tyre ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Top Channel