“Shfaqej shpesh aty pasi i kishte gatuar diçka dhe pinin kafen së bashku”, Anila Hoxha: Raportimi i një krimi në shtëpinë e të moshuarve

09/08/2024 14:06

Nga Anila Hoxha

Raportimi i një krimi në shtëpinë e të moshuarve dhe rrëfimi i një infermiereje për azilin…

Kur largimet e tij nga banesa për shkak të sklerozës u bënë të shpeshta dhe pikërisht kur kuptoi se vazhdimisht kërkonte e alarmuar të atin nëpër Tiranë, me dhimbje vajza e Virxhilit vendosi ta çojë në azil. Shfaqej shpesh aty mbasi i kishte gatuar diçka dhe pinin kafen së bashku në një lokal lagjeje, ngjitur me shtëpinë e të moshuarve.

Sapo shikonte të bijën atij i qeshnin sytë. Vetëm kur shikonte atë, vështrimi i shuar i merrte jetë. Ishte i qetë.

Por, shpesh ia harronte emrin edhe të shtrenjtës bijë, shumçka ishte bërë si një letër e bardhë dhe e pashkruar nga jeta e tij. Nga ditët e të djeshmes kur mundte , në një të sotme me infermierë përreth.

Për të kishte vetëm sot që tretej në mjegull.

Ndonjëherë zbriste dhe e gjenin në oborr të përhumbur në mesnatë në mes të muzikës. Ndonjëherë qante dhe kërkonte ti kapërcente ato mure të shtëpisë të të moshuarve. Në lagjen ku azili gjendet, banorët të tregojnë me kokë tavolinën ku ulej ai me të bijën, e cila nuk donte të mungonte në asnjë nga ditët e të atit. Pinte kafen me të, i mbante duart fort. Pastaj ikte. Në luftërat e jetës së saj.

Në azil gjithmonë takimet janë me orar.

Kishte pasur një të djeshme Vixhili, përpara se të quhej moshë e tretë. Krijoi familje. Punoi në tregti. I paqtë deri mbrëmjen kur shoku i dhomës, një historian i njohur e sulmoi në gjumë me një bastun. E vrau. Edhe vrasësi i tij Zyhdi Shehi një i moshuar me probleme shëndetësore, i paqartë për çfarë ka bërë dhe plot kontradikta në rrëfimin e tij. Por, ai e vrau. Dy infermierw,  njëra e diplomuar për mami, u përpoqën të fshijnë ashtu sic fshin skleroza vendngjarjen. Edhe ato të arrestuara. Dhe mes pikëpyetjeve të kësaj ngjarjeje, shpirtvrarjes po ju sjell rrëfimin e një ish punonjëseje në shtëpinë e të moshuarve. Shumë gjëra mbeten për tu konfirmuar,  por mbi gjithçka domosdoshmëria dhe urgjenca që institucionet përkatëse të ushtrojnë kontrolle mbi shtëpitë e të moshuarve qofshin ato edhe private, duke verifikuar që nga menunë ushqimore, medikamentet, trajtimin e tyre nëse është njerëzor apo jo

RRËFIMI…

“Unë kam punuar në këtë institucion si infermiere. Si fillim dua te ndaj keqardhjen time për ish pacientin, që ka humbur jetën. Unë e kam pasur pacient Xhilin (sic e thërrisnim ne shkurt). Ishte një zotëri që ka punuar tregtar për shumë vite po në atë lagje, ku ndodhet dhe azili. Një person i urtë dhe i sjellshëm. Vuante nga skleroza dhe nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese. Nuk ishte i dhunshëm. Vajza e tij shpesh vinte e vizitonte  mbasdite dhe e ushqente. Pacienti ka pasur probleme shpesh me gjumin natën dhe zgjohej. E gjenin në oborr në orën 3-4 te natës e gjenim në kuzhinë ose nëpër dhoma të tjera. Shpesh herë tentonte dhe të dilte nga godina.  Por,  dua te cek si fillim si funksionon puna për infermierët: Turni paradites ka maksimumi 5-6 infermierë që bëjnë në fillim ushqyerjen e pacientëve dhe shpërndarjen e medikamenteve dhe më pas ndërrimin e pelenave dhe të rrobave të pacientëve.

Ndërsa në darkë qëndrojnë vetëm dy infermierë që kontrollojnë kapacitetin e pacientëve, mbi 40 ose më shumë. Jemi ankuar shpesh për këtë gjë, për të shtuar staf, por pronari ka refuzuar. Turni natës është në orarin: nis në 15.00  të pasdites dhe përfundon të nesërmen  në orën 07:00  të mëngjesit, ku dhe dorëzohet turni. Rregulli për turnin e natës është që të kontrollohen pacientët çdo një orë në të treja godinat. Godinat janë të pajisura me kamera ku kapet çdo pjesë e azilit. Normalisht turni natës është turni më i lodhshëm dhe është lejuar që fjetja e infermierëve të bëhet me radhë.

Por, ka pasur raste kur infermierët (të dyja) janë gjetur në gjumë, gjatë natës. Kjo bën që gjatë natës të ndodhin dhe incidente të tjera perveç kësaj tragjedisë. Godina është e ndarë në tre pjesë, ku në të treja gjenden pacientë në gjendje shëndetësore nga më të rënda, me sëmundje të tjera shoqëruese.

Përsa i përket kryeinfermieres Z.N. M, ajo është me profesion mamie dhe nuk ka një liçencë si infermiere. Kanë punuar dhe vajza të tjera,  të cilat nuk kanë qenë të liçensuara ose të siguruara me siguracione. Azili është i pajisur me një mjek që përgjithësisht vjen paradite ku shikon gjendjen e pacientëve. Ai është një mjek i përgjithshëm. Gjithashtu në azil është dhe një punonjëse sociale. Në raste ku shfaqen problematika me pacientë me gjendje të rënduar mendore thirret dhe një neurologji.

Në godinën ku gjendet dhe dhoma e infermierëve, gjendet dhe kati me pacientët më problematikë. Madje ato mbahen të lidhur gjatë ditës, por ka raste dhe gjatë natës. Pacienti që ka ndërruar jetë ka qëndruar një kat më sipër dhomës së infermierisë dhe mendoj që infermierët kanë qenë në gjumë në momentin që ka ndodhur incidenti, pasi ndryshe zhurmat do ishin dëgjuar dhe të bërtiturat.

Unë kam edhe disa foto nga pacientët që më kanë ngelur në telefon dhe gjendjen e tyre të mjeruar. Nëse ju intereson mund tua dërgoj. Kjo është një foto si mbaheshin të lidhur gjatë ditës. Kjo ndodhet në katin e infermierisë dhe  zgjidheshin në orën kur vinin familjarët për vizitat e drekës. Por, shumica i takojnë në pjesën e hollit të azilit Domethënë  infermierët i zbresin pacientët poshtë dhe takohen aty pas mbarimit të takimit ngjiten përsëri në dhomë sepse familjarët që kanë pacientët që ecin vetë nuk lejohen të futen në dhoma”…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA