“Kur fajin nuk e kanë barbarët”/ Studiuesi Auron Tare denoncon djegien e Parkut Arkeologjik të Finiqit: Ai qytet u harrua dhe u braktis

08/08/2024 19:12

Studiuesi Auron Tare ka denoncuar përmes pamjeve zjarrin e madh që ra sot në Finië, që ka shkrumbuar një nga qytetet më të njohura të botës Antike.

Në një reagim në rrjetet sociale, studiuesi shprehet se zjarri u trajtua si rast i rëmdomtë dhe askush nuk foli për katastrofën kulturore të ndodhur aty.

Ai shprehet se zjarri i sotëm i cili shkrumboi tërësisht Parkun Arkeologjik të Finiqit duke dëmtuar monumentete e Kulturës dhe strukturat antike tregon më së miri braktisjen e këtij Qyteti vetëm 9 km nga Saranda.

Reagimi plotë i Auron Tares:

“Kur Fajin nuk e kanë Barbarët”

Sot zjarri në mesditë shkrumboi Finiqin, një nga qytetet më të njohura të botës Antike. Përveç ndonjë lajmi të thatë për një zjarr të rëndomtë askush nuk foli për katastrofën kulturore ndaj këtij qyteti antik.

I rrethuar me mure madhështore me blloqe monolite, me një Akropol diku 7 herë më të madh se ai i Athinës, me një Teatër që mbante mbi 15 mijë spektatorë, me një histori aq të lavdishme sa pak kush e ka, Finiqi ështe i harruar, i braktisur dhe i pa njohur masivisht nga publiku shqiptar.

Kryeqytet i Epirit, vendi ky familja mbretërore Molose kishte fronin e vet, ku Kaonet Epirote lulëzuan në tregeti, arte dhe kulturë. Vendi nga ku Aleksandri i Epirit, vëllai i Olimpias, nënës se Aleksandrit të madh filloi fushatën e tij ushtarake dhe prej nga transportoi elefantet e dërguar nga nipi i tij i famshëm në anije ushtarake drejt gadishullit italik.

Qyteti ku Republika Romake dhe Mbreteria Maqedonase firmosen të parin Traktat për t’i dhënë fund luftimeve mes tyre. I pushtuar dhe plaçkitur rëndë nga Ilirët e Teutës që e rrethuan pa pritur, i tradhëtuar nga mercenaret gale dhe i ri plaçkitur nga trupat e Paulius Aemilius, Prokonsullit Romak ne Luftën Epirote, Finiqi nuk u dogj asnjë herë. Madhështia i bëri të gjithë ushtrite luftuese të nderonin këtë qytet famëmadh me një kulturë dhe arkitekturë mbresëlënese.

Kërkimet arkeologjike dhe zbulimimet u firmosën për të parë herë në kohën e Mbretit Zog, nga i njohuri arkeolog Ugolini. Gjate periudhes se komunizmit u bene një serë ekspeditash arkeologjike dhe restauruese.

Pas rënies së komunizmit ishte një nga vendet ku u germua sistematikisht me eskavator nga kerkuesit e thesareve duke dëmtuar rende struktura te tera arkitekturore.

Në 1996 eksploratori i famshëm Norvegjez Thor Heyderal e vizitoi Finiqin me idene e nje ekspedite nderkombetare arkeologjike per 97 e pengoi kete ide interesante.

Në 2002 nën projektin e Parkut Kombetër të Butrintit me mbështetjen e fondacionin privat amerikan Coolidge nga Boston MA dhe Sherbimit Kombëtar të Parqeve Amerikane u bë e mundur vendosja e një ekipi prej 6 rangers për të mbrojtur këtë thesar historik.

Me ardhjen e Berishës II, ky shërbim u shkri dhe qe prej asaj kohe Finiqi është zhytur në harresë totale institucionale. Ne se lexuesi do të lexojë se një nga Ministrat e Kulturës nuk e dinte se ku binte Finiqi apo se një pjesë e mirë e baballarëve te Kombit nuk e dinte se çfare është apo ku bie jam i sigurt qe nuk do ta besojnë. Fatkeqësisht është e vërtetë.

Finiqi ashtu si pjesa me e madhe e Trashëgimisë Kombëtare është pjesë e një harrese dhe neglizhence të frikshme.

Edhe pse është premtuar gjerësisht krijimi i një strukture që do të mbronte dhe mirëmbante monumentete e Kulturës si dikur nën “çatinë” e Institutit të Monumenteve të Kulturës, apo një strukture të dedikuar pavarësisht emrit, Monumentete e Trashëgimisë janë të braktisura apo të harruara.

Çdo justifikim për mungesa apo pengesa burokratike janë totalisht të pa vërteta. Me një llogaritje të thjeshtë mund të kuptoni se Parku Kombëtar i Butrintit (një fshat i vogël në kohën e madhështise se Finiqit) nxjerr diku tek 2 milion euro të ardhura nga biletat. 2 Milion euro janë mjaftueshëm për të mbajtur në këmbë të gjithë rrjetin e monumenteve të Kulturës në rrethin e Sarandës.

Përfshi këtu edhe fondet direkte apo indirekte shteterore që shkojnë për Tendera në fushën e turizmit/trashëgimisë do të shikoni se nuk është çështje fondesh por pa aftësie dhe neglizhence totale ndaj Trashegimisë.

Zjarri i sotëm i cili shkrumboi tërësisht Parkun Arkeologjik të Finiqit duke dëmtuar monumentete e Kulturës dhe strukturat antike tregon më së miri braktisjen e këtij Qyteti vetëm 9 km nga Saranda.

Harresa dhe braktisja e këtij Qyteti madhështor që sot u bë shkrumb nuk ka lidhje me barbarte e dikurshëm por në radhë të pare me frymën indiferente të publikut dhe me pa aftësinë burokratike të Institucioneve të cilët nuk po kuptojne së Trashëgimia Kulturore është çelësi i një turizmi largpamës dhe mundësi për zhvillimin ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA