Nuk ndryshon norma e interesit për lekun, Banka e Shqipërisë: Inflacioni shënoi rënie të ndjeshme

07/08/2024 17:20

Në raportimin e politikës monetare, guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë e ka kryer me sukses detyrën e saj: Inflacioni ka një trend të qartë drejt rënies me një mesatare prej 2.1%, ndërsa rritja e normave të interesit nuk ka dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Inflacioni ka rënë me forcimin e lekut dhe qetësimin e çmimeve në tregjet kryesore nga ku importon Shqipëria. Por, sërish rreziqet tashmë vijnë nga tregu i brendshëm, rritja e shpejtë e pagave dhe kostove të prodhimit thotë BSH po rrit kërkesën dhe ul produktivitetin.

Guvernatori thotë se ekonomia e Shqipërisë është në një cikël pozitiv.

“Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi”, tha Sejko.

Në deklaratën e tij për politikën monetare guvernatori reagoi sërish edhe për skandalin e mikrokredive duke konfirmuar dhe njëherë se institucioni që drejton ka kryer detyrat mbikëqyrëse dhe rregullatore konform ligjit

“Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, tha Sejko.

Një javë më parë, një letër e presidentit bajram Begaj gjithashtu kërkonte nga Kuvendi sqarimin deri në fund të skemës së vjedhjes nëpërmjet mikrokredive, ndërsa paraqiste dritëhije dhe për rolin e Bankës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA