Sheshi Liria në qendër të Durrësit u shndërrua, mbrëmjen e kaluar, në një skenë argëtimi dhe kënaqësie për publikun me muzikën ritmike të interpretuar nga grupi Balkan Bazaar.
I formuar në Itali, në vitin 2018 nga muzikanti shqiptar Wilson Luari në bashkëpunim me muzikantë italianë, grupi solli një repertor të larmishëm këngësh.
“Balkan Bazar është një grup që ka lindur në Itali. Jam i vetmi shqiptar, të tjerët janë italianë. Veccantia jonë është se jemi të gjithë jemi muzikoterapistë dhe merremi me paaftësitë dhe problemet sociale. Ideja ishte të krijonim integrim dhe përfshirje në koncertet tona.”-u shpreh Wilson Luari.
Muzika e grupit, një përzierje e traditës ballkanase me tingujt e muzikës rock, krijoi një atmosferë energjike dhe përfshirëse tek publiku vendas dhe i huaj.
“E prisnim prej kohësh ardhjen këtu, sepse grupi ynë bën muzikë që i përket këtyre viseve, po e kemi luajtur gjithnjë vetëm në Itali. Është shumë bukur, emocion i vërtetë të jemi këtu. Muzika që luajmë është një mision sepse duam ta transmetojmë te njerëzit emocionin dhe t’i përfshijmë ata.”- u shpreh Paolo Caneva, instrumentist
“Shikon shqiptarin që kapet përdore me italianin, anglezin, spanjollin dhe të hedhin një valle shqiptare. Kjo është ajo që ndodh shpeshherë dhe jemi shumë të emocionuar se është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në Durrës.”- u shpreh Luari.
Pritshmëritë e grupit, për të bërë bashkë vendas e të huaj edhe në valle, u përmbushën, ndërsa publiku e shijoi energjinë e mirë që përcollën muzikantët në shesh.
Top Channel