Nga Preç Zogaj
Incidenti i shëmtuar me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit i ka elementët për t’u konsideruar një provokacion i qëllimshëm i segmenteve antiperëndimore të qeverisë së re të Shkupit.
As Presidentja e Republikës, as Kryeministri, as ministri i Jashtëm maqedonas nuk kanë reaguar kundër keqtrajtimit të kryetares së shtetit fqinj, në shkelje të hapur të rregullave ndërkombëtare të privilegjeve dhe imunitetit që gëzojnë zyrtarët e lartë. Falje jo e jo që nuk kanë kërkuar.
Por edhe po ta kërkojnë diçka të tillë sa për të larë gojën pas “hetimit” të stërzgjatur që me demek kanë nisur në Shkup, provokacioni mbetet.
Një provokacion i porositur i llojit “hidh gurin e fshih dorën” me qëllim ofendimin dhe poshtërimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, nga të paktat në vendet e Ballkanit Perëndimor për momentin që ka si busull të vizionit dhe qëndrimeve të saj euro-atlantizmin dhe proamerikanizmin. Qëndrime që kanë spikatur e spikasin përkundër ekuivokeve dhe rreshtimeve proruse që po ndesh euroatlantizmi në disa qeveri të ashtuquajtura “sovraniste” në rajonin tonë.
Për një koincidencë që nuk duket koiçidencë nga mënyra si nisi në aeroport dhe si vijoi në avion, incidenti i kërkuar nga pala maqedonase ndodhi një a dy ditë pasi zonja Osmani përsëriti në një takim me kryetarët e partive politike të Kosovës, thirrjen e saj konstante në adresë të institucioneve të Kosovës për një koordinim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet me partnerët perëndimorë amerikanë dhe europianë. Thirrje e cila kontraston me disa qëndrime të kryeministrit Kurtit, që kanë krijuar “zhgënjime të mëdha” jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin, Paris, siç është deklaruar publikisht nga zyrtarë dhe diplomatë amerikanë që merren me rajonin tonë.
Zonja Osmani “e pagoi “ në Shkup, sipas llogarive të aktorëve në prapaskenë. Që me siguri janë argëtuar me perversitetin e tyre. Kosova dhe Shqipëria duhet të ndihen të fyer. Ata që kanë lejuar dhe siguruar kalimin ilegal nëpër Shqipëri të ish kryeministrit të Maqedonisë së Veriut , Nikolla Gruevski, në arratinë e tij nga drejtësia e shtetit të vet, duhet të skuqen me gjestin e pasardhësve të tij në qeverinë e Shkupit.
Por episodi i trishtë me zonjën Osmani na kujton diçka më të rëndë se sa një shfrim të disave ndaj dikujt. E kam fjalën për grupimet dhe individët e orientimit perëndimor në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Koha që po jetojmë nuk është e mirë për ta. Madje mund të themi se për momentin është e keqe. Ekuivoket, dyzimet deri edhe rreshtimet e hapura antiperëndimore dhe proruse janë evidente në qeveritë e Serbisë, Malit të Zi dhe në Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht se dy vendet e fundit janë anëtarë të NATO-s dhe të tre janë në negociata për t’u bërë pjesë e BE-së, “dashnore të Perëndimit dhe gra të Lindjes”.
Për çfarë kanë qenë e janë si komb autokton josllav në rajon, me lidhje të hershme të shumëfishta me oksidentin, shqiptarët në Republikën e Shqipërisë dhe ata të Republikës së Kosovës nuk duhet të pajtohen dhe lejojnë asnjë lloj ekuivoku të qeverive të tyre sa u takon marrëdhënieve të ngushta me SHBA e BE-në. Ata duhet të jenë të zgjuar që të kuptojnë se liderit e tyre politikë nuk dalin hapur si Enver Hoxha kundër SHBA-ve. Së paku në periudhën që jetojmë. Retorika e tyre formale është properëndimore. Por u grahin rremave në drejtim të kundërt në forma të tjera ku në rastin e Shqipërisë, sa për të dhënë një shembull spikat përpjekja e kastës Berisha-Rama për të penguar me çdo kusht hetimin e korrupsionit të lartë nëpërmjet pengimit e tjetërsimit të SPAK-ut, këtij institucioni që përfaqëson dhe ekzekuton një prioritet dhe një premtim të politikës së jashtme amerikane në Shqipëri. Që është lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e ligjshmërisë deri në majën më të lartë të piramidës shtetërore.
Kjo është një betejë jetike e vështirë. Nuk bëhet pa SHBA. Nuk bëhet pa angazhimin qytetar. Kasta ka grumbulluar fuqi të stërmadhe ekonomike, mediatike, logjistike, e tjerë e tjerë. Kasta po pret zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të këtij viti prej nga shpreson një rezultat që do t’i mundësojë të zhvillojë betejën fitimtare kundër SPAK dhe çdo subjekti e zëri proamerikan në vend. Nuk do të ndodhë. SHBA bëjnë politikë, japin e marrin edhe me armiqtë. Ua kërkon dhe lejon lidershipi në politikën planetare. Por aleancat dhe bashkëpunimin i kanë me miqtë. Edhe në vendet e vogla si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Përndyshe do sfidoheshin për një kohë të gjatë nga forcat antidemokratike.
liberale.al
Top Channel