Një 60-vjeçar është vënë në pranga në Lushnjë, pasi u kap duke lëvizur i armatosur në qytet, me fishekë në fole gati për qitje.
Banues në fshatin Mërtish, policia gjatë kontrollit fizik dhe automjetit të A. M., i kanë gjetur përveç armës edhe 1 armë gjahu pa leje, municion luftarak, dhe një gjerdan arme gjahu me fishekë.
Më pas nga kontrolli i banesës së tij shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu pa leje, gjerdanë arme gjahu, municion luftarak, dylbi, dhe radio të ngjashme me ato të Policisë.
Ky arsenal armësh iu sekuestrua nga policia, ndërsa po në kuadër të këtij operacioni të quajtur “Guns”, u proceduan penalisht 59-vjeçari Q. G. dhe djali i tij, 31- vjeçari K. G., banues në fshatin Gurë, për moskallëzim dhe prodhim e mbajtje armësh pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit A. M., dhe veprat penale “Moskallëzim i krimit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasve Q. K., dhe K. G, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel