Nga Aladin Stafa

Ndërsa Europa po rraskapitet nga temperaturat e larta prej dy muajsh, në Perëndimin e largët duket se po gatuhen fatet e së ardhmes në planetin tonë. Gjithë sy e veshë, duke ndjekur të rejat më të fundit prej përballjes elektorale, që fillimin e pati të vrullshëm e agresiv, kjo rrugë e gjatë elektorale dhe plot të papritura nuk është aspak e lehtë deri nëntorin që vjen. Nëse Trump po tregon vendosmëri në garë, nuk mund ta themi të njëjtën gjë për ish-kundërshtarin e tij Joe Biden, i cili u tërhoq pa nisur ende.

Po pse ndodhi kjo? Për shkak të moshës se tij? Për shkak se e kuptoi se nuk mund të fitonte? Apo ka një plan të fshehtë, të cilin ne nuk e dimë?

Pyetje të shumta janë ngritur javët e fundit në tabloide e kudo ndër tryeza analistësh, ku frika se perandoria më e madhe e botës nuk po tregon më stabilitet duke krijuar amulli në mendjet e njerzve, aq sa i druhen hapjes apo zgjerimit të një Lufte të Tretë Botërore.

Përgjigjen e së cilës do të mund ta mësojmë këtë dimër i cili pritet të jetë i gjatë dhe njëherësh i vështirë.

Cilët janë kandidatët?

Zëvëndësuesja e Biden, Kamala Harris, nga ana tjetër nuk është një emër i panjohur në politikën amerikane. Një figurë tërësisht e ndryshme nga Trump në politikë por edhe në qasjet e saj mbi idealet dhe parimet, ajo është modeli i gruas që jep shpresë.

Trump, nga ana tjetër, një president i provuar tanimë, i cilësuar nga opinioni si një politikan e njeri pragmatist, një one man show në stilin e tij por dhe një biznesmen i suksesshëm, priret që konfliktet botërore t‘i mbyllë gjithmonë me një marrëveshje win-win. Një akord i kohëve të sotme ky, ku aftësia për të shuar grindjet e për të fituar të gjithë, merr më shumë përparësi.

Një prognozë të tillë duket se do të mund të ketë lufta në Ukrainë, ajo në Gaza si dhe konflikti në Tajvan. Tre pole të nxehta këto, që po na shoqërojnë vitet e fundit duke prishur balancat mes Lindjes së Largët, asaj të Mesme, Europës dhe Amerikës gjithashtu. Askush nuk duket të jetë i interesuar për politikë të brendshme pasi që politika e jashtme është e vetmja ekzistenciale që me magjinë dhe adrenalinën e saj verbon ‘masat‘ e si pasojë rrit elektoratin duke formësuar liderin suprem.

Kjo kartë po luhet fort nga Trump i cili nuk rresht së kërcënuari se nëse nuk vjen ai në krye të SHBA-së, fatet e njerëzimit do të jenë si ato të një filmi apokaliptik në Netflix. Padyshim incidenti që ndodhi para disa javësh gjatë fushatës së tij në Pennsylvani, ku u provua që ai të vritej, i ka dhënë shumë pikë atij. Ndoshta dhe fatit drejt një fitoreje të mundshme dhe jo vetëm.

Ndwrsa pikëpyetje janë ngritur gjithashtu se si ndodhi e gjitha kjo ? Cilat ishin arsyet e vërteta të këtij atentati dhe se kush ishte në të vërtetë 20-vjecari i dëshpëruar që ngjashmërinë me një personazh tjetër amerikan, pikërisht me Jeffrey Dahmer, e ka jo të paqëllimtë? Si për të na treguar edhe njëherë se Amerika që shohim nuk është ajo cfarë në të vërtetë është.

Skenari i përpunuar tashmë prej kohësh po vazhdon të luhet në skenën e një teatri të madh me aktorë të parë dhe të dytë, dhe është muaji nëntor, muaji në të cilin do të luhet dhe akti i fundit. Por a është e gatshme perandoria t’i japë fund kaosit dhe të rikthejë jetën e amerikanëve dhe të të gjithë botës në rrjedhën normale të saj apo kësaj here lëvizja feministe do bëjë hapin e saj më të madh të parë ndonjëherë duke vendosur në krye të shtetit më të fuqishëm të botës një grua, me shpresën se nuk do të jetë fillimi i një fundi?

E si për cudi ashtu si ngaherë, Europa të mbetet një fushëbetejë interesante sa nga Perëndimi aq edhe nga Lindja, duke ruajtur pozicionin e saj sandwitch, mes dy qytetërimeve. Në pritjen e goditjes së rradhës, me shpresën se Zeusi do vijë ta shpëtojë princeshën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA