Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën se është duke u zhvilluar një aksion policor në veri të vendit, përkatësisht në objektet e Postës së Serbisë.
Një punonjës i Postës në Zveçan tha për Radios Evropa e Lirë se zyrtarët policorë e kanë bllokuar hyrjen e objektit dhe ata nuk mund të hyjnë më aty.
Sipas tij, gjatë aksionit, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dokumente.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për REL se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.
Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.
“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.
Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.
Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.
Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.
Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.
Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.
Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.
Top Channel