Që prej prillit, niveli i euros në kursin e këmbimit po lëviz pranë nivele minimale historike duke u këmbyer me përafërsisht 100 lek.
Edhe pse në pikun e sezonit monedha evropiane gjithmonë zhvlerësohet më shumë për shkak të prurjeve të turistëve, kjo nuk ka ndodhur këtë vit. Kjo si pasojë e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, e cila nuk po lejon të bjerë poshtë barrierës psikologjike. Ekspertët shprehen se Banka e bën këtë pasi deficiti tregtar po rritet
“Banka e Shqipërisë e ka sqaruar se mund të ndërhyjë për të mbajtur një nivel të caktuar euron vetëm kur vlerësimi i euros është aq i madh sa dhe në importe ajo krijon një efekt negativ duke importuar inflacion më të lartë. Kur prishet ky ekuilibër Banka ndërhyn. Ndërkohë ajo ndërhyn për rezervë valutore, si në rastin e COVIDI-t”, tha Arben Malaj, ekspert i ekomomisw.
Në këtë situatë ku euro është në pikën më të ulët, ekspertët sugjerojnë që nuk duhet të krijohet panik në shitje
“Këshilla ime është për të gjithë shqiptarët të mos nxitojnë nëse kanë të ardhura apo depozita në euro, që t’i shesin me idenë se deri ku mundtë zbresë euro, sepse shijet në panik kanë gjithmonë pasoja për ata që përfshihen. Ata mund t’i përdorin me kujdes të ardhurat e tyre për shpenzimet në euro, për investime në instrumente të ndryshme borxhi”, u shpreh eksperti.
Ndërkohë sa i përket thirrjes së Bankës së Shqipërisë kundrejt qeverisë për ashpërsimin e masave ndaj bizneseve që pranojnë pagesa në euro, ekspertët mendojnë se kërkohet një strategji më afatgjatë
“Vështirësia më e madhe është që shkalla e euroizimit të ekonomisë shqiptare është e lartë dhe masat e menjëhershme kam frikë se do të shkojnë në rritje të informaliteti. Këshillat që jepen qoftë për deeuroizimin, është që këto janë strategji afatgjata që duhet të ndiqen hap pas hapi sepse edhe zhvillimet ekonomike apo në tregjet e kapitalit janë të përhershme në ulje ngritjet e tyre”, tha Malaj.
Top Channel