Një aksion i madh policor është zhvilluar në Prishtinë pasditen e sotme.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës ka konfirmuar aksionin në lagjen Emshir, ku është arrestuar një person i shumëkërkuar.
Burime nga mediat kosovare shprehen se bëhet fjalë për Arben Lamçjen, një vrasës me pagesë për të cilin ka një urdhër arresti nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë Dy”.
Për arrestimin e “killerit” janë angazhuar forcat speciale FAST të policisë së Kosovës, me mbështetjen edhe të njësive speciale.
Në 31 korrik SPAK lëshoi 31 urdhër arreste për persona të kërkuar në kuadër të operacionit plumbi i artë 2.
Ky urdhër lidhet me 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat, të cilat pretendohet se janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të mega operacionit “Plumbi i Artë 2”, i cili është zhvilluar para 5 ditë në Tiranë, Elbasan e Durrës.
Bëhet fjalë për shkatërrimin e një grupi kriminal me bazë në Elbasan ku drejtues ishin vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Ata dyshohet se nëpërmjet trafikimit të lëndëve narkotike kishin ngritur një perandori kriminale. SPAK zbuloi porositjen e disa vrasjeve, pjesëmarrjen e grupit në grabitjen e parave në Rinas dhe skemat nëpërmjet të cilave pastronin para në ndërtim dhe me pikat e këmbimit valutor.
Top Channel