Në një kohë që maturantët po përzgjedhin 10 programet e studimit në një proces që mbyllet në datën 4 gusht, Ministria e Arsimit paralelisht po zhvillon fushatën “Studio në Shqipëri”, që synon të promovojë avantazhet e studimit në vend dhe zgjimin e interesit për lëndët e mësuesisë dhe degët e kërkuara nga tregu i punës.
Ana Kapaj, Zv.ministre e Arsimit thotë: “Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ka nisur fushatën “Studio në Shqipëri” për të informuar maturantët mbi ofertën akademike të universiteteve shqiptare. Kjo nismë synon të promovojë avantazhet e studimit në vend, duke njohur maturantët me programet e reja të studimit, partneritetet që universitetet tona kanë me institucione prestigjioze europiane, programet e studimit me diploma dyfishe dhe programet në gjuhë të huaj.
Është me rëndësi për të informuar dhe ftuar maturantët të zgjedhin degët më të kërkuara nga tregu i punës dhe me perspektivë për të ardhmen si dhe për të diversifikuar ofertën akademike në bashkëpunim të ngushtë me universitetet shqiptare. Janë me dhjetëra programet e reja të studimit që ne kemi miratuar si MAS për vitin e ri akademik 2024-2025. Ka mbi 960 programe, të dy cikleve që ofrohen në universitetet tona dhe shumë prej këtyre programeve janë në partneritet me universitetet e njohura europiane”.
Zgjedhja e një universiteti publik, të studiuarit në Shqipëri patjetër që krijon një perspektivë të re. E para për të gjithë programet incentivizuese që ne kemi për të gjithë studentët.
Janë rreth 50 mijë studentë që mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria shqiptare me bursa. Bursa për studentët ekselentë, bursa për studentët me vështirësi sociale dhe ekonomike, mbështetje dhe reduktim me tarifa zero në varësi të kushteve sociale.
Nga ana tjetër, për programet që ne i konsiderojmë programe prioritare dhe që jemi duke punuar, edhe këtë vit do të kemi sërish studentë që do të mbështeten për programe prioritare dhe strategjike, të cilët mbështeten me bursa sa paga minimale.
Ne besojmë që do të ketë një interes në rritje këtë vit për programet e mësuesisë duke patur parasysh që duke filluar nga 1 korriku nisi rritja e pagave të mësuesve, që do të thotë se paga mesatare e mësuesit shkon në 950 euro dhe që sigurisht që kemi si synim të vijojmë mbështetjen për mësuesit.
Por ajo që është e rëndësishme është pikërisht impakti që do të ketë rritja e pagave në interesin e maturantëve për të ndjekur degët e mësuesisë. Vlerësojmë se vit pas viti do të ndjehet edhe tek brezi i maturantëve që do duan dhe do dëshirojnë të studiojnë për mësuesi duke ditur tashmë që edhe pagat për mësuesinë janë paga dinjitoze.
Top Channel