“Shteti s’ka kompetenca mbi sigurinë e aeroportit”, Taravari reagon pas incidentit të presidentes Osmani: Ndodhi edhe kur ishte Talat Xhaferri, pse s’foli BDI?

02/08/2024 11:45

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga udhëheqësit e VLEN-it, koalicionit shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka reaguar pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Sipas Taravarit, BDI-ja, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti, po manipulon për të dëmtuar VLEN-in, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme, thotë ai, nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit. Ai shprehet se është kompania TAV që ka kompetenca në sigurinë e aeroportit dhe jo Ministria e Brendshme.

“Si VLEN, shprehim shqetësimin tonë se si një parti politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht BDI, po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës. Ne i bëjmë thirrje opinionit që të ndjekë faktet dhe jo propagandën e BDI-së.

Faktet janë si më poshtë:

1 – MPB dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, por kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it.

2 – Sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit

3 – Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA