Pas sulmeve me vrasjen e udhëheqësve të Hamasit dhe Hisbollahut në Teheran dhe Bejrut disa vende të Këshillit të Sigurimit bëjnë thirrje për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit në OKB shprehën shqetësimin e tyre lidhur me një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme, ku ndërkohë Izraeli dhe Hamasi ndodhen në luftë. Zëvendësambasadorja franceze Nathalie Broadhurst bëri thirrje për “përgjegjësi më të madhe dhe përmbajtje më të madhe, për të shmangur një përhapje rajonale të konfliktit”. “Ne druajmë, se rajoni ndodhet në prag të një lufte totale”, thotë zëvendësambasadori japonez në OKB Shino Mitsuko. Ai kërkoi përpjekje ndërkombëtare, për ta shmangur një konflikt të tillë.
Natën e së mërkurës, me një sulm nga ajri në Teheran u vra shefi i byrosë politike të organizatës islamiste-militante palestineze Hamas, Ismail Hanija. Atje ai kishte marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri Massud Peseshkian. Hamasi dhe Irani akuzojnë armikun e tyre kryesor Izraelin. Izraeli, që ndodhet në luftë me Hamasin, as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka përgënjeshtruar vrasjen.
Vetëm pak orë më vonë aviacioni ushtarak izraelit, sipas të dhënave të veta, vrau komandantin ushtarak të nivelit të lartë të organizatës shiite militante pro-iraniane Hisbillah në Liban, Fuad Schukr. Izraeli e bën atë përgjegjës për sulmin vdekjeprurës me raketa ndaj kodrave të pushtuara Golan të shtunën e kaluar (27.07.2024), ku si pasojë gjetën vdekjen dymbëdhjetë fëmijë dhe të rinj druzë. Hamasi dhe Hisbollahu klasifikohen nga SHBA dhe BE si organizata terroriste.
Sabotim i përpjekjeve për paqen?
Përfaqësues të Kinës, Rusisë dhe shteteve të tjera në Këshillin e Sigurimit e dënuan vrasjen e Hanijas. Ambasadori algjerian në OKB akuzoi Izraelin, se po saboton përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca dënuan mbështetjen e Iranit për aktorët destablizues në rajon. Zëvendësambasadori i SHBA-së Robert Wood tha se është më mirë, që të mos spekulohet për pasojat e zhvillimeve të fundit. Një luftë më e madhe nuk është në prag dhe as nuk është e pashmangshme.
Fu Cong, ambasadori i Kinës në OKB, tha, se shkak për ashpërsimin e tensioneve është dështimi i deritanishëm i bisedimeve për armëpushim në Rripin e Gazës. “Vendet me influencë të madhe duhet të ushtrojnë më shumë presion dhe të punojnë më energjikisht, që të shuajnë flakët e luftës në Rripin e Gazës”. Ambasadorja britanike Barbara Woodward përsëriti kërkesën e saj për armëpushim të menjëhershëm.
Ambasadori iranian Amir Saeid Iravani kërkoi që Këshilli i Sigurimit të ndërmarrë menjëherë masa, për ta vënë Izraelin “para përgjegjësisë për këtë akt agresioni”. Përfaqësuesi izraelit Jonathan Miller tha, se: “Ne do të vazhdojmë të veprojmë, për të mbrojtur të gjithë popullin izraelit”. Hisbollah, Hamasi dhe milicët jemenit Huthi janë në gjendje të vazhdojnë të “pështyjnë helm” falë “kokës së gjarpërit”, vazhdoi ai duke iu reeferuar mbështetjes së Iranit ndaj këtyregrupimeve.
Guterres paralajmëron për përshkallëzim
Pak përpara seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres përmes zëdhënësit të tij deklaroi, se sulmet në Iran dhe në Liban janë një “përshkallëzim i rrezikshëm”. Duhet të shmangen të gjitha aksionet, “që mund ta zhysin në humnerë Lindjen e Mesme”.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu i përgatiti bashkëatdhetarët e tij për “ditë sfiduese”. “Ne jemi të përgatitur për çfarëdolloj skenari dhe do t’u bëjmë ballë të bashkuar të gjitha kërcënimeve”, tha Netanjahu në kuartierin ushtarak në Tel Aviv. “Izraeli do të kërkojë një çmim të lartë për çdo lloj agresioni kundër nesh, nga çdo front”, tha Netanjahu. Lufta kërkon rezistencë nga qytetarët izraelitë. “Që nga fillimi i luftës unë kam deklaruar, se ne ndodhemi në luftë kundër aksit iranian të së keqes.”
Sulm direkt ndaj Izraelit?
Irani ndërkohë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i kundërvihet Izraelit. Sipas informacioneve të “New York Times” udhëheqësi iranian Ajatollah Ali Chamenei si hakmarrje për vrasjen e Haniajs në një mbledhje të posaçme të Këshillit Suprem Kombëtar të Sigurisë në Iran dha urdhër, që të sulmohet direkt Izraeli.
Një konfirmim për këtë nuk ka. Më parë Chamenei dhe presidenti Peseshkian cilësuan një aksion ndëshkues si të drejtë legjitime të vendit, sepse sulmi është kryer në tokë iraniane.
Presidenti i ri iranian pas vdekjes së Hanijas nuk do ta pakësojë ndihmën për Hamasin, por do ta intensifikojë e zgjerojë atë edhe më tej. Vendi “nuk do të tërhiqet asnjë milimetër” nga mbështetja për rezistencën palestineze kundër Izraelit, por “do ta vazhdojë atë me përforcim”, i tha Peseshkian zëvendësshefit të Hamasit për marrëdhëniet me jasht, Chalil al-Haja, gjatë një telefonate. Presidenti atentatin ndaj Hanijas në Teheran e cilësoi si një “akt terrori”, sikurse njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Irna./DW
Top Channel