Numri i aktmarrëveshjeve të firmosura me OSHEE group dhe FSHU, për shlyerjen me këste të faturave të prapambetura të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022, vazhdon të rritet.
Sipas të dhënave më të fundit, që i përkasin periudhës kohore nga datat 3 prill deri në 24 korrik, kur nisi zbatimin skema e re e aktmarrëveshjeve, janë firmosur 3.345 kontrata.
Prej tyre, 2875 kontrata i përkasin kategorisë familjar, ku 1708 subjekte kanë shlyer njëherësh detyrimin ndaj OSHEE group, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës në masën 70 %.
Ndërsa 1167 klientë të tjerë vijojnë pagesat me këste, sipas kategorive të përcaktuara në udhëzimin mbi skemat e shlyerjes së debisë së akumuluar ndaj OSHEE group.
Kategoria familjar, një nga përfitueset e AKM-së, do të paguajë çdo muaj këstin prej 2800 lekësh, bashkë me faturën korente, ndërsa abonentët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët, kryefamiljarët, ose abonentët me status të veçantë do të paguajnë çdo muaj këstin me vlerë 1.200 lekë.
Po gjatë periudhës kohore 3 prill-24 korrik 2024, kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE-në, 470 klientë jofamiljar, nga të cilët, 340 kanë shlyer njëherësh debinë e akumulur, duke përfituar reduktim kamatëvonese në masën 50-100 %. Konkretisht: 318 klientë jofamiljar kanë përfituar 50 % reduktim kamate dhe 22 klientë jofamiljar/biznes i vogël kanë përfituar 100% reduktim kamatëvonese.
OSHEE thekson se skemat e aktmarrëveshjeve për vitin 2024, përfshijnë faturat e papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022.
Klientët debitorë, që duan të hyjnë në aktmarrëveshje me OSHEE group, duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të likuidohen përpara lidhjes së aktmarrëveshjes. Në skemat tona të aktmarrëveshjeve për vitin 2024 përfshihen, gjithashtu, edhe detyrimet e papaguara nga faturat: dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.
Top Channel