Një grup kriminal që trafikonin armë zjarrin dhe municion luftarak nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, është shkatërruar.
Si rezultat i këtij operacioni, të quajtur “Inkorporimi”, ranë në pranga tre persona, të cilët u kapën në Tiranë, masë e caktuar nga GJKKO. Bëhet fjalë për A. H., B. T. dhe R. A..
Gjithashtu policia ka sekuestruar një arsenal të madh armësh, të përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Por jo vetëm kaq, sepse janë sekuestruar veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika).
Arsenali dhe sendet e tjera të sekuestruara u gjetën në banesën e A. H., i cili sipas policisë, rezulton si drejtues i grupit kriminal.
Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë.
Sipas policisë, ky operacion u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.
Në muajin prill 2023, Policia, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.
Top Channel