Fruta-perime me nitrate në treg? Ministrja Denaj: Mos u besoni pajisjeve të pacertifikuara, çdo produkt kontrollohet nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë

01/08/2024 10:56

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u kërkoi qytetarëve të mos u besojnë pajisjeve të pacertifikuara që gjurmojnë praninë e nitratit apo kimikateve të tjera në produktet ushqimore.

Sipas saj, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, është instituti përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike që kontrollon futat dhe perimet që tregtohen në vend.

“Institucioni që është përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike është ISUV, një institucion shtetëror i fokusuar në akreditimin e testeve laboratorike. Sot jemi 1361 kontrolle. Gjurmohet edhe ku ka produkte që mund të ketë përmbajtje të lartë të disa produkte si nitrati. Duhet të heqim dorë nga pajisje që nuk janë të certifikuara. Çdo produkt që mund të ketë indikacion të shkojë dhe të certifikohet në ISUV. Sot produktet bujqësore, sidomos nga zona e Myzeqesë, nuk ndodh që të mos kenë produkte të certifikuara”.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua një projektligj, që organizon rregullat për produktet organike të prodhuara në vendin tonë.

“Synohet që këto produkte të vendosen në tregun shqiptar sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian. Rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit. Janë përcaktuar edhe autoritetet përkatëse, që do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit organik”, u shpreh ministrja Denaj.

Ligji siguron dhe miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produkteve plehëruese, që përcaktohen në bujqësinë organike.

Po ashtu, ministrja tregoi punën që po bëhet për një financim nga qeveria italiane për peshkimin në vend.

“Një projektvendim që lidhet me Ekonominë Blu, jemi në proces me qeverinë italiane për të mund një financim me gati 25 milionë euro për një zhvillim më të madh të peshkimit, që të marrë një zgjerim më të shtuar jo vetëm në Vlorë, por në shumë qytete të tjera të Shqipërisë”, tha ministrja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA