SPAK ka zbardhur 6 ngjarje kriminale pas hetimeve në vazhdim të dosjes “Plumbi i Artë”.
Mes tyre është vrasja e Klevis Kapllanit dhe vrasja e trefishtë në Bradashesh ku mes viktimave ishte edhe vëllai i Erjon Alibej.
Hetimet zbardhën 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat. GJKKO sot lëshoi 30 urdhër arreste, ku mes tyre ka masa sigurie për dy oficerë policie.
Gjithashtu është vendosur masë arresti shtëpiak për ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ka gjykuar grupet kriminale në Elbasan.
Mes personave të akuzuar është edhe “Dari i Elbasanit”, i cili u arrestua disa muaj më parë në Dubai.
Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, u arrestua në Dubai në maj të këtij vitit, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Vrasja e Klevis Kapllanit
Klevis Kapllani u ekzekutua me breshëri plumbash brenda mjetit “Fiat Punto”, vetëm pak metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës.
Ai u gjet i pajetë rreth orës 6 të mëngjesit të 15 shtatorit të vitit 2020 nga një banor i zonës, i cili kishte dalë për të grumbulluar qumështin.
Por, për hetuesit, vrasja e 33 vjeçarit, i njohur edhe me emrin Bledar mendohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes së 14 shtatorit, teksa ai ishte duke shkuar në shtëpi pasi kishte pirë kafe në lokalin e fshatit.
Viktima ishte me precedent penal dhe i dënuar në Itali për trafik droge dhe dy vite më parë, pasi kishte shlyer dënimin ishte kthyer në Shqipëri.
Kapllani ishte baba i një fëmije të mitur, ndërsa vrasja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje për shkak të drogës.
Dyshohet se Kapllani kishte njohje dhe me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.
Vrasja e trefishtë në Bradashesh
Në datën 29.12.2018 në fshatin Bradashesh të Elbasanit mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Erdal Duranay, Endrit Alibej dhe Arben Dylgjeri
Policia shpalli në kërkim më pas Mikael Qosjen nga Elbasani pasi dyshohet se ishte personi që organizoi atentatin ndaj Endrit Alibejt tek rrethrrotullimi i Metalurgjikut në Elbasan.
Krahas Alibejt, në këtë atentat u vranë Arben Dylgjeri si edhe turku Erdal Durunay.
Organet ligjzbatuese dyshojnë se Qosja e organizoi atentatin pas një prishje pazaresh mes grupit të tij dhe atyre të vëllezërve Alibej.
Atentati i bujshëm ndodhi rreth orës 20:30 të datës 29 dhjetor të vitit 2018 ndaj makinës “Land Rover” ku udhëtonin Alibej, Dylgjeri dhe Durunay u derdhën një numër i madh plumbash duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.
Top Channel