Stabilizohet situata në Shëngjin! Gjirokastra ende nën “pushtetin” e flakëve, situata jashtë kontrollit

31/07/2024 11:44

Gjatë ditëve të fundit vendi ynë ka pasur numër të lartë zjarresh, përfshirë atë të një ditë më parë në Shëngjin, ku situata ishte tejet e rëndë.

Aktualisht zjarret janë jashtë kontrollit në Gjirokastër, pasi era e fortë ka bërë që të përhapen flakët me shpejtësi. 

Forcat zjarrfikëse, mbështetur nga ato të Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, Shërbimi Pyjor, Zonat e Mbrojtura apo edhe forca vullnetare, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile kanë punuar intensivisht në disa fronte për të shuar zjarret e rëna në disa zona të vendit.

Puna ka vijuar përgjatë gjithë natës pa ndërprerje në vatrën problematike në fshatin Mal Shëngjin, ku sot situata paraqitet më e stabilizuar. Veç ndërhyrjes së helikopterit Cougar nga ajri në mbështetje erdhën edhe dy avionët Canadair nga Italia, pjesë e ndihmës nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

Ministria e Mbrojtjes raporton se nuk ka pasur lëndime në njerëz, por vetëm minimale në biznese përreth zonës së zjarrit, në 2 bare plazhi dhe çatia e një shtëpie.

Aktualisht është arritur izolimi i plotë i vatrave dhe po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të tij nga shërbimet zjarrfikëse, efektivët e FA, policisë, strukturat vendore të mbështetura edhe nga 2 avionët Canadair të Italisë.

Po ashtu vijon punë për shuarjen e zjarrit në fshatin Zavalinë, Bashkia Elbasan për të cilin janë angazhuar ditën e sotme strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA

Aktive janë zjarri në Kodrat e liqenit të Viroit, Bashkia Gjirokastër, zjarri mbi qytetin e Tepelenës, i cili ditën e sotme si pasojë e erës së fortë ka dalë jashtë kontrollit. Janë angazhuar ditën e sotme për normalizimin e situatës strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe një helikopter i FA.

Po punohet në fshatin Lozhan-Bode, Bashkia Maliq, në fshatin Picar, Bashkia Vorë në një objekt tregtar, në fshatin Ujanik, Bashkia Skrapar. Ndërsa situata në qarqet e tjera paraqitet relativisht e qetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA