‘Agjitatorët’ akuzohen për nxitje islamofobie dhe lidhjen e sulmit në Southport me muslimanët (fotot)

31/07/2024 17:08

Protestues kanë sulmuar dje një xhami në qytezën angleze ku tre fëmijë u vranë në një sulm tragjik me thikë, ndërsa një fluks desinformacioni mbi motivet ka lënë banorët në frikë e pasiguri.

Aktivistë të drejtash dhe muslimanë britanikë dënonin trazirat pas sulmit makabër në qytetin verior bregdetar të Southport.

Sulmuesi qëlloi fëmijët me thikë gjatë një eventi me muzikë dhe kërcim, ndërsa tragjedia shkaktoi disa nga trazirat më të rënda mbrëmjen e të martës kur banorë dhe anëtarë të tronditur të komunitetit sulmuan një xhami vendase dhe oficerët e policisë që tentonin t’i ndalonin.

Rreth 50 police u plagosën nga trazirat që nisën pas grumbullimit paqësor për viktimat, por tensionet duket se u ndezën nga dezinformacioni online me pretendime të paverifikuara se sulmuesi ishte musliman dhe emigrant.

Policia tha se ka ndaluar për ngjarjen një 17-vjeçar të lindur në Uells, por pa dhënë më shumë detaje, pasi të dyshuarit nën 18 vjeç nuk mund të emërohen pa u dhënë akuzat e sakta, shkruajnë mediat vendase.

Policia tha se tragjedia nuk po trajtohet si incident terrorist por figura si agjitatori të djathtës ekstreme Tommy Robinson bënë thirrje për akte kundër muslimanëve dhe emigrantëve pa dokumente, duke sugjeruar se policia e media i mbron ata dhe fsheh informacionin nga publiku.

Një seri rrjetesh në internet fajësonin muslimanët për sulmin e të hënës, teksa homazhe të shumta bëheshin për viktimat. Pesë fëmijë të tjerë janë goditur me thikë dhe dy të rritur, raportojnë mediat.

Organizatat muslimane në Liverpool thanë se ishin të shokuara nga sulmi ndaj fëmijëve në shkollën e kërcimit, si dhe nga shfrytëzimi i tij për nxitje urrejtjeje.

Drejtuesja e këshillit musliman britanik Zara Mohammed, tha: “Në këtë kohë tragjedie e humbjeje të madhe ne qëndrojmë të vendosur kundër forcave të përçarjes e urrejtjes që po godet komunitetet muslimane të Southport.”

Kryebashkiaku i Liverpool, Steve Rotheram, tha se trazirat “po traumatizonin më shumë komunitetin e shokuar nga sulmi. Sjellje të tilla largojnë vëmendjen nga dhënia e drejtësisë për tragjedinë.”

 

FOTO GALERI
2/3
Një seri rrjetesh në internet fajësonin muslimanët për sulmin e të hënës, teksa homazhe të shumta bëheshin për viktimat

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA