Kaosi u rikthye sërish në Parlament pas vendimit të Edi Ramës për të miratuar në një seancë të jashtëzakonshme 4 ndryshime në kabinet si dhe zgjedhjen e Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit.
Lindita Nikolla u ul për herë të fundit në karrigen e kryeparlamentares, por nuk pati asnjë lëshim për opozitën, e cila kishte ardhur me planin pë të debatuar 6 orë.
Gazment Bardhi injoroi thirrjen për t’u larguar nga salla dhe bashkë me kolegët blindoi foltoren. Socialistët nuk kishin nevojë për votat e opozitës dhe ecën para me procesin e votimit.
Ministrat e rinj ndoqën votimin nga llozha, ndërsa ish ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi qëndroi krah deputetëve të cilët do t’i drejtojë në sesionin e ri parlamentar. Taulant Balla i cili u ul për herë të fundit në karrigen e ministrit të Brendshëm tregoi se kishte mbështetjen e dy deputetëve të PDIU Nusret Avdullai dhe Gëzim Ademaj, të cilët votuan pro emërimit të tij si ministër Shteti për Marredhënien me Parlamentin ndërsa abstenuan për ndryshimet e tjera në kabinet të Edi Ramës.
Protesta e opozitës në sallë nuk ndali votimin por ndryshoi procedurën për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
U shmang votimi tradicional me kuti dhe u kalua në votim elektronik të fshehtë. Elisa Spiropali mori 75 vota për të drejtuar Parlamentin, por jo votën e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku të cilët në tabelë rezultuan që nuk kanë votuar.
Dy deputetët e PDIU vijuan me pjesëmarrjen në votim por ato që ranë në sy ishin dy votat nga radhët e demokratëve. Ori Nebiaj dhe Gazment Bardhi i cili ishte në foltore dhe për të votoi kolegia ngjitur.
Elisa Spiropali mori fjalën pasi procesi u mbyll mes zhurmës dhe kaosit. Mesazhin kryesor e kishte për opozitën që nuk e priti me duartrokitje.
Me mundësi për të folur në seancë në emer të opozitës nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj mesazhin e tij e dha në oborrin e Kuvendit.
Parlamenti mbylli dyert duke paralajmëruar një sesion të zjarrtë në vjeshtë.
Në Kuvend u miratua:
Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes: 77 pro , 2 abstenim- deputetët e PDIU, 13 kundër;
Ervin Hoxha, Ministër i Brendshëm: 76 pro, 2 abstenim -deputetët e PDIU, 11 kundër;
Taulant Balla, Ministër për marrëdhëniet me parlamentin: 78 pro, mes të cilëve edhe dy deputetët e PDIU, 9 kundër;
Petrit Malaj, Ministër i Financave: 77 pro, 2 abstenim-deputetët e PDIU, 14 kundër.
Elisa Spiropali kryetare e Kuvendit: 75 vota pro, 4 kundër.
Top Channel