Në mbështetje të Hungarisë që do të udhëheqë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ambasadën Hungareze organizoi një ceremoni të posaçme.
Në prani të zyrtarëve kombëtarë edhe ndërkombëtarë, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Ndërkaq theksoi se Shqipëria vitet e fundit po punon çdo ditë e më shumë për të arritur integrimin në BE.
“Ambicia e Shqipërisë 2030 është ambicia e Shqipërisë që integrohet në Bashkimin Europian. Jam i sigurt se ngritja e dorës për miratimin e anëtarësisë sonë mund të zgjasë vetëm 30 sekonda, por pas tyre fshihen 40 vite punë. Ne jemi duke punuar për këtë dhe e kemi marrë shumë seriozisht, sidomos vitet e fundit. Nuk e them se kemi qenë seriozë në të 40 vitet e kësaj praktike, por vitet e fundit e kemi marrë shumë seriozisht, ndaj gjatë presidencës hungareze duam të sigurohemi që bëjmë maksimumin për t’i kthyer ngjyrat kuqezi, aty ku e kanë përkatësinë e tyre, aty ku kanë aspiratën e tyre, aty ku të gjithë shohin drejt Perëndimit”, tha Veliaj.
Hungaria mendon se Shqipëria po i kryen mirë detyrat e shtëpisë dhe bashkimi në familjen europiane nuk do të jetë i largët. Ndërsa Veliaj nënvizoi se është e thjeshtë t’i prishësh gjërat, por duhet kohë për t’i rikuperuar..
“Sot në Europë ka një luftë. Është shumë kollaj të hapësh konflikt, por shumë më e vështirë ta kthesh gjënë e bukur siç ishte. Është shumë kollaj ta thyesh një enë kristali, është shumë e vështirë që ato copat e vogla t’i ngjisësh bashkë, por edhe po i ngjite, prapë nuk do të jenë kurrë si origjinali. Ndaj, unë besoj se në këtë kontinent që ne e quajmë Europë, por edhe në këtë bashkësi politike, që ne e quajmë Bashkimi Europian, është shumë kollaj të thyesh gjëra, por është shumë e vështirë t’i bësh gjërat bashkë. Shumë gjëra janë thyer për kombin tonë, që nga pushtimi 500-vjeçar te diktatura komuniste, dhe tranzicioni jashtëzakonisht i vështirë. Por, si Kubi i Rubikut, me simbolikën e të kthyerit në origjinë, sfida jonë e jashtëzakonshme është të kthyerit aty ku ishim, aty ku e kemi përkatësinë, në Europë dhe në Bashkimin Europian”, shtoi kryebashkiaku.
Top Channel