Është hapur gara për tenderin e ndërtimit të porit të ri tregtar në Porto Romano. Pasi kompania e njohur holandeze RoyalHaskonening ka përfunduar fazën e studimit të fizibilitetit dhe projektimit, fondi limit për ndërtimin e veprës së re do të jetë 392 milionë euro.
Gara e tenderimit do të kalojë në dy faza dhe pritet që punimet të fillojnë pranverën e vitit të ardhshëm.
Kryeministri Rama tha se kjo garë ndërkombëtare nën udhëheqjen e kompanisë holandeze do të garantojë sukses në ndërtimin e portit të ri dhe do t’i japë kontribut ekonomisë
“Royal Haskoning sjell për ne mundësinë që të kemi një nga mjeshtrat më mreslënës të gjithë botës së inxhinierisë. Royal Haskoning do ta shoqërojë projektin, duke qenë partneri i qeverisë shqiptare për të mbikqyrur të gjithë procesin, nga gara ndërkombëtare te punimet që do të bëhen në port. Deti ka shumë lloj speciesh dhe dihet se specia e njohur si më e frikshme është peshkaqeni. Ata që ndërtojnë porte, janë peshkaqenët e tokës, me vjen mirë që kanë ardhur, ndër kompanitë e listuara, pesë prej tyre janë më të mëdhatë në botë, por historia e zhvillimit të porteve ka treguar se nëse këto kompani gjejnë shesh, bëjnë një përshesh aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish trefish, katërfish, nëse nuk ke peshkatarë peshkaqenësh. Royal Haskoning na ka sjelle peshkatarin e duhur për t’i mbajtur peshkaqenët brenda rregullave, ndaj nga peshkaqenë do t’i bëjmë delfinë që në fund do ta na japin një spektakël ku të gjithë do të dalin të fituar”, tha Rama.
Zv.kryeministrja Balluku e vlerësoi projektin si një nga më të rëndësishmit në historinë infrastrukturore shqiptare
“Sot, çelja e garës është një nga momentet më të veçanta, e kemi quajtur porti i shqiptarëve, se do i shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur nëpërmjet hekurudhës me Prishtinën dhe Strugën. Duket si një rrugë e lehtë dhe një rezultat që do të vijë shpejt, por sot këtu kurorëzohen katër vite punë intensive, nga një grup ekspertësh që arrijnë deri në 100. Janë mbi 420 mijë orë pune, një mal me analiza dhe studime, po t’i shtrinim këto letra A4 në bregdetin shqiptar, nuk do të mjaftonte. Ky interes na nderon dhe na ve në kushtet e një përgjegjësie të mëdha
Duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë, për t’i shërbyer të gjithë rajonit, duam të ndërtojmë një terminal kontejnerësh tre fish më të madh, sipërfaqe të dedikuara për entet ligjzbatuese, në infrastrukturë detare që hedh bazat për një zhvillim të mëtejshëm, duam të ngremë një infrastrukturë për bazën detare. Durrësi dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje“, tha Balluku.
Në Porto Romano, qeveria po shikon edhe mundësinë e financimit nga NATO për ndërtimin e një baze ushtarake që do të bëhet pjesë e portit tregtar.
Top Channel