Pas një karriere fillestare te Drenica, më pas te Partizani, Amir Rrahmani merr një rritje të madhe në karrierën e tij pas kalimit në kampionatin kroat me Splitin më pas Dinamo Zagreb dhe nga viti 2020 filloi aventura e tij në kampionati italian fillimisht me Veronën dhe prej mëse 5 vitesh me Napolin, kundërshtari i luksit të kampionëve të Shqipërisë Egnatias mbrëmjen e së dielës.
Në një intervistë për Top Channel, Rrahmani tregon më tepër rreth kontaktit të parë, si kundërshtarë i një ekipi shqiptar.
“Më rikthehen kujtimet e menjëhershme kur isha edhe më i ri, është gjithmonë kënaqësi të luash miqësore kundër ekipeve shqiptare është bukur edhe pse ne nuk jemi më të mirë pasi dallon përgatitjen që ka bërë Egnatia dhe ne sepse kemi filluar më vonë. Jemi duke u përgatitur shumë mirë, pak është e vështirë tani me trajnerin Konte por jemi mirë. Normalisht po e shihni edhe vetë që jemi shumë të lodhur për shkak të përgatitjeve që kemi bërë. Pastaj na janë ndërruar shumë trajnerë. Gjithmonë duhet me ju përshtatur trajnerit të ri me kërkesat që ka, nuk është shumë e lehtë sepse ky është viti i 5-të me Napolin për mua dhe normalisht me lujt gjithmonë dhe me qenë gjithmonë në majat e futbollit italian është shumë e vështirë“, shprehet Rrahmani.
Kushdo që sheh ecurinë e karrierës së Amirit, kujton se ai ishte dikur produkt i Partizanit, të shkuar që ai nuk e harron ish-klubin e tij.
“Po Partizanin e ndjek kur kam kohë, pasi vitet e fundit kemi pas shumë ndeshje, kampionat, kupë, Champions League apo më herët Europa League, ndoshta këtë vit që kemi vetëm Serie A dhe Kupë do të kem më shumë mundësi ti shoh, sepse gjithmonë është kënaqësi ti shoh sepse më kujton kohën që kam luajtur atje dhe uroj cdo lojtar i ri që të dalë të ndjekë rrugën time. Besoj që në të ardhmen do të ketë shumë lojtarë shqiptarë që do të dalin nga futbolli shqiptarë”.
Rrahmani ka bërë karrierën e ëndrrave të mbi 15.000 futbollistëve që luajnë në Shqipëri, nga moshat dhe deri tek ekipet e Superligës dhe për të gjithë kapiteni i përfaqësueses së Kosovës dhe Napolit ka një këshillë.
“Këshilla është me punu fort, nuk është mjaftueshëm ajo që bën në klub pasi varet gjithmonë nga trajneri sa punon me ekipin. Në kohën kur isha unë përveç asaj që bënim me skuadrën, bëja edhe me trajner personal, shumicën e kohës bëja dy herë në ditë stërvitje. E vetmja mënyrë është vetëm me punë, me përqendrim dhe me dhënë më të mirën gjithmonë”.
Rrahmani ishte pjesë e lojtarëve të skartuar nga De Biazi në 2016-n, sot luan me përfaqësuesen e Kosovës si lider i saj dhe padyshim tifoz i kuqezinjve.
“Gjithmonë është krenari me pa Shqipërinë e njëjta gjë është edhe nëse do të kualifikohej Kosova, krenar do të ishin shqiptarët e Shqipërisë nëse do ta arrinim. Uroj që edhe në të ardhmen me u kualifiku prap dhe me i kalu edhe grupet”.
Vitet e fundit shqiptarët në Serinë A nuk janë thjeshtë numra por protagonist.
“Me kalimin e kohës po bëhemi më shumë dhe kjo tregon se jo rastësisht unë një lojtar apo dy lojtarë, kanë dalë nga Kosova dhe Shqipëria, shpresoj të dalin edhe më shumë në të ardhmen se kjo tregon se kemi kualitet kemi talent dhe puna që bëhet në ekipet e Shqipërisë dhe Kosovës nuk është aq e keqe! Kjo duket edhe tel ekipet që luajnë vitet e fundit në kupat e Europës si për shembull Ballkani i viteve të fundit, na ka bërë krenarë”.
Top Channel