Qeveria e re në Britani thotë se do të rrisë taksat pasi ‘ka gjetur deficitin 22 mld paundë në buxhet’ (fotot)

29/07/2024 18:39

Ministrja laburiste e financave Rachel Reeves tha sot në parlamentin britanik se kishte një gropë në buxhet prej 22 miliardë paundë të trashëguar nga konservatorët, prandaj po përgatiten rritje taksash.

“Kemi trashëguar një mbi-shpenzim prej £22 miliardë ($28 miliardë)… këtë vit, të kryer nga partia tjetër,” tha Reeves, e cila u emërua pas fitores së laburistëve në zgjedhjet e 4 korrikut.

“Nëse nuk veprojmë kjo do të linte një deficit të madh në buxhetin e këtij viti”, tha ajo duke cituar detaje të auditimit.

Duke i hedhur të gjitha fajet administratës së kaluar të Rishi Sunak, laburistët po nisin mandatin e tyre me rritje të përçmuara të taksave që priten të shkaktojnë më shumë pakënaqësi në publik.

Reeves shtoi se qeveria e saj do të paraqesë buxhetin e parë në 30 tetor.

Konservatorët shpejt mohuan pretendimet laburiste duke sugjeruar se qeveria e re po përdor vlerësimet fiskale si justifikim për të ngritur taksat.

“Ajo nuk bën dot njeri për budalla me këtë tentativë për të ngritur taksat, kur nuk kishte guximin ta thoshte më herët”, tha zëdhënesi konservator Jeremy Hunt, ish-ministri i financave para zgjedhjeve.

Auditimi laburist vjen para fushatës së shkurtimit të shpenzimve dhe rritjes së mundshme të disa taksave, edhe pse gjatë fushatës ata ishin zotuar se nuk do të ngrinin taksat kryesore ndaj punëtorëve, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA