Partizani ka një mal të lartë për të ngjitur në sfidën e kthimit me Iberia 1999, pas humbjes 2-0 në transfertën gjeorgjiane.
Disfatë që gjithsesi nuk ka shuar plotësisht shpresat e të kuqve për një përmbysje të madhe, edhe pse të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë.
Trajnerit Orges Shehi i duhet të rikuperojë brenda pak ditëve problematikat që u shfaqën në sfidën e parë, ku u pa një Partizan pak krijues dhe mbi të gjitha që e tentoi me pikatore portën, ndërkohë që nuk munguan edhe gabimet në mbrojtje. Veç të tjerash dhimbjet e kokës për ish portierin shtohen edhe në lidhje me elementët që do të ketë në dispozicion.
Një mungesë e rëndësishme do të jetë padyshim ajo e Arinaldo Rrapajt, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në mesin e fushës. Veç të tjerash probleme fizike kanë dhe Murataj dhe Preka që nuk ishin as në sfidën e parë, duke e bërë situatën edhe më të komplikuar për drejtuesin e stolit të kuq.
Ndërkohë i ka dhënë lamtumirën Partizanit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale dhe Alfred Mensah i cili do të vazhdojë karrierën nën urdhrat e Ilir Dajës te Ballkani në Kosovë, por sulmuesi nuk ka qenë në planet e teknikut që nuk e kishte as në sfidën e parë me Iberian.
Top Channel