Në fjalën e tij në Kongresin e PS, kryeministri Edi Rama ftoi të rinjtë që duan të bëhen pjesë e politikës të aplikojnë në platformën “Deputeti që Duam”.
Rama gjeti rastin të fliste edhe për ‘persona të paudhë brenda PS’, që tjetër gjë i thoshin në sy, tjetër gjë i bënin pas shpinës.
“Platformën ‘Deputeti që Duam’, shikojeni si një derë ku mund të trokasësh pa ndërmjetës. Regjistro emrin dhe mos prit, organizohu për të dalë në pah. Sigurisht gjatë gjithë kohës ne do jemi në kontakt. Unë nuk i siguroj dot ata se do bëhen deputet. Sepse secilit i takon të bindë njerëz, të bëjë ndjekës, por unë i siguroj që nëse dikush ka dëshirë, të angazhohet, të merret me politike deri të bëhet deputet, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë, asnjë. Pazari politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë ku kush do hedhë një hap për tu angazhuar e ka një mundësi reale.
Jo sepse PS është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot këtë. Kemi plot probleme edhe ne. I kam njohur edhe vetë të tillë të paudhë, aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe çfarë më bënin pas shpine. Kur kanë arritur të ngjiten dhe të më ngjiten mua, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz që po u drejtohet duhet të nisin rrugën. Unë jam po ai që them, besojeni. PS është e vetmja rrugë për ju”, tha Rama.
Top Channel