Sali Berisha ka reaguar në lidhje me ndryshimet në Qeveri, të cilat u njoftuan sot nga kryeministri Edi Rama.
Ai tha se Rama i quajti deputetët hajdutë dhe interesaxhinj, ndërsa u përqendrua tek Elisa Spiropali, tashmë e propozuar për kryetare Kuvendi.
“Sot para shqiptarëve doli me të gjithë lakuriqësinë e tij të shëmtuar, kongresi i partisë me katër emra, i cili në dallim nga çdo kongres tjetër në 83 vite, sanksionoi se ajo parti, në atë parti nuk ekziston asnjë forum tjetër, asnjë anëtar forumesh të tjera, ekziston njishi, njishi dhe të gjithë të tjerët janë zero me bisht pas tij. Në këtë kontekst, mund ta vlerësojmë kongresin si aktin politik të metamorfozës së rilindjes, metamorfozës së plotë të rilindjes.
Parë në çdo aspekt, ky kongres ka fytyra njërën më të shëmtuar se tjetrën. Ai në fakt u mbyll edhe si kongresi i spiropalizimit të rilindjes. Figura më fantazmagorike në 32 vite të politikës shqiptare, Zilie Pali, apo Zilie Gjoka u zgjodh kryetare e kuvendit të Shqipërisë.
Por dua të jemi të sinqertë dhe gjërat duhet ti shohim jo me pasion të madh politik se i kemi kundërshtarë, por fjalët që tha ai për deputetët e tij, ishin një kopje e zbutur e fjalëve të mia për ata deputetë. Hajdutë, interesaxhi, antipopullor, dhe çdo epitet tjetër.
Sot kreu i narkosit gjeti të lavdërojë vetëm Vullnet Sinën se i ka dhënë dorëheqjen me probleme madhore me fshatarët e Gjormit dhe Labërisë, seç bën atje me gurore, ujëra etj. Kurse të tjerët i quajti minj portalesh, intrigantë, gjuhë nepërkash që ju mbetet jashtë.
I quajti dhe çfarë nuk i quajti or miq, dhe e dini se pse, se ata jo se nuk kanë mëkate, se janë mëkatarë të mëdhenj, por mëkati i tyre më i madh për Edi Ramën është se, ata nuk e mbrojtën Ramën dhe Olsin kur opozita i bëri radiografinë në parlament.
Nuk ka nevojë të komentoj për Taulant Ballën se e kuptoni ju që ja flakën të tjerët. Por tani kam disa fjalë unë, sepse mediat thonë se u emëruan kandidatura jo politike. Madje pati dhe ndonjë që tha të rinj. U emëruan hajdutë të klasit të parë. U emëruan hajdutë dhe vetëm hajdutë.
Po marr atë të Financave. Petrit Malaj. Dëgjoni miq, ai kishte disa shkolla nuk mohoj, por problemi i tij ai kishte shkollën më të keqe që mund të ketë njeriu, shkollën e Belindës.
Po në mbrojtje. Piro kokaina. Piro kokaina është njeriu që u mandatua për të garantuar pasazhin e plotë të kokainës në Portin e Durrësit dhe që kur ka shkuar Pirro aty dhe Taulanti në ministri, në Durrës kanë kaluar tonelata e tonelata dhe nuk është kapur asnjë kilogram kokainë.
Piro kokaina edhe ai është me shumë mbiemra. Mund të quhet edhe Piro Alabari. Sepse merret dhe u mor me operacionin e tmerrshëm korruptiv disa miliardësh të portit të Durrësit. Por Piro Vengu, dale nga vijnë lidhjet.
Po ai tjetri, Ervin Hoxha. A e dini ju, ai është shkarkuar me firmë dhe urdhër të Edi Ramës nga detyra.
Si ndodhi thoni ju. Ua them unë. Ishte kryetar i hetimit tatimor dhe shkon e ulet në një resort turistik në Sarandë, zhdepet gjithë natën duke ngrënë dhe në mëngjes ikën pa paguar.
Linda e parlamentit dhe Ermonela u flakën vetëm për shkak të debateve të forta. Kjo është e vërteta.
Sepse ato ndonëse fanatike të verbërta të Edi Ramës, sigurisht nuk arrinin dot të dominonin dot zërin e vërtetë të opozitës në parlament dhe u flakën si limon i shtrydhur”, tha Berisha.
Top Channel