Kasapi që ka lexuar 400 libra! 36-vjeçari nga Elbasani që ka gjetur balancat mes punës e pasionit

28/07/2024 20:39

Mariglen Xheka është 36 vjeç, ka studiuar punë sociale, punon si kasap dhe adhuron leximin.

Kush tha që pasionet e njeriut duhet të kombinojnë? 36-vjeçarit nga Elbasani i pëlqen puna si kasap të cilën e ka të trashëguar, ndërsa ndër 400 titujt e lexuar preferon kriminalistikën.

“Zanati kasapit ka lindur sepse unë brez pas brezi jam familje kasapësh, stërgjyshi, gjyshi, babi, unë dhe rrjedhimisht do shkojë në gen. E kam mësuar që i vogël, 7-8 vjeç. Kasapi është pasioni im tjetër. Unë e bëj me qejf zanatin tim. Kam zbuluar që jo çdo person e ka qejf zanatin e vet, ndërsa unë e dashuroj zanatin tim. I përkushtohem dhe e dua ashtu siç dua edhe librin.

Mund të kem lexuar mbi 400 libra, romane, autobiografi, teori konspirative, kriminalistikë. Specialitetin e kam tek kriminalistika pasi autorja ime e preferuar është Agatha Kristie. Ajo është best seller më me famë përsa i përket kriminalistikës”, tha Mariglen Xheka.

Në gjykimin e tij libri hap dyer, shemb mure dhe ndërton ura, ka fuqinë që asgjë tjetër s’do mundet ta ketë asnjëherë.

“Libri për mua është ushqim ndaj vetes, ndaj trurit, karakterit. Është një horizont që hapet përtej imagjinatës. Leximi e bën njeriun të ndihet i plotë në shumë kuptime, moral, psikologjik, social. Dhe më kryesorja është që e bën më human”, u shpreh ai.

Në Elbasan e njohin si kasapi që lexon sepse në dyqanin e tij mes pajisjeve të punës gjen gjithmonë libra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA