24 projektligje dhe projektvendime u kaluan në votim në fund të seancës maratonë, që mbylli edhe këtë sesion parlametar.

Votimi më i rëndësishëm e që rrjedhimisht shkaktoi debatet më të ashpra në 13 orë seancë, ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që për herë të parë u japin të drejtën shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të votojnë.

Miratimi me 106 vota pro dhe ato 2 kundra të Enkelejt Alibeajt dhe Dashnor Sulës, do të thotë se me formulën e re për shpërndarjen e mandateve dy partitë e mëdha PS-PD, ndryshe nga sa premtuan, forcuan vullnetin e kryetarit në hartimin e listës pasi plot 100 deputetë do të emërohen prej tyre.

Me 75 vota u rrëzua amendamenti i Fatmir Mediut, ndërsa ai i Lulzim Bashës me 77 kundër.

Ndërkohë, u miratua me 103 vota edhe amendamenti i përshëndetur nga OSBE me bashkë-firmëtare kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla, ministren Elisa Spiropali, deputeten e PS-së, Etilda Gjonaj dhe deputetet demokrate Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi, të cilat kërkonin që edhe në pjesën e hapur të listës, të sigurohet që ⅓ e atyre që do të shkojnë në Parlament të jenë gra.

Nga gjetjet e Komisionit për të dhënat e sistemit TIMS, u miratua vetëm raporti i mazhorancës, me 76 vota pro. Anëtarët e këtij komisioni nuk arritën të dilnin me një raport të përbashkët, por kryetari Gazment Bardhi, u shpreh se raportin e PD-së do ta dërgojë në SPAK.

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ishte i vetmi socialist që votoi kundër projektligjit “për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, që parashikon rritje pagash për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky projektligj mori në total 74 vota pro dhe nuk u miratua pasi kërkoheshin 84 vota.

Edhe në projektligjin për një ndryshim në Kodin e Punës, që u miratua me 74 vota nga mazhoranca dhe 20 vota nga opozita, u vu re vota kundër nga deputeti socialist, Toni Gogu.

Më tej, u miratuan projektligjet “Për Policinë e Shtetit”, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”. Në projektligjin “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024- 2033”, me socialistët i bashkuan votat edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe Fatmir Mediu. Madje, Kryemadhi propozoi një amendament për taksë zero për subjektet që merren me prodhimin apo mirëmbajtjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve të teknologjisë ushtarake, që u miratua me 77 vota pro.

Pasi punimet e Komisionit të Sterilizimit dhe Check Up në Shëndetësi u zgjatën deri në tetor, Alban Xelili nga PS dhe Elda Hoti nga PD, u caktuan anëtarë zëvendësues.

Ina Zhupa u zgjodh kryetare e Komisionit për Edukimin, ndërsa Flutura Açka anëtare e këtij komisioni.

Po me shumicë votash, Merita Gurabardhi dhe Deniz Deralla u zgjodhën anëtarë të Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA