Alban Bengasi, që ofroi para për të vrarë ish-bashkëshorten do të lërë qelinë! Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi ta lirojë avokatin.
Sipas Apelit të GJKKO-së, Bengasit i ka mbaruar periudha e dënimit.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, e dënoi Alban Bengasin me 1 vit e 4 muaj burg, pasi i ofroi Nuredin Dumanit 120 mijë euro për të dhunuar ish-bashkëshorten, Blerta Bengasi.
Pas përfundimit të hetimeve të SPAK, rezultoi se Bengasi, është përmendur në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Dumanit, ku thuhet se i kishte ofruar atij shumën prej 120 mijë eurosh për të vrarë ish-bashkëshorten e tij, ndërsa më herët ishte porositur gjymtimi i saj.
Bengasi dyshonte se ish-gruaja e tij e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë, dhe për këtë kishte nisur një seri hakmarrjesh ndaj saj, me qëllimin final për ta eliminuar, ndërsa SPAK thotë vetëm që Bengasi ka bërë porosinë për shkak të konflikteve familjare që kishte me të.
Ngjarja ka ndodhur në datë 30 janar të vitit 2020, rreth orës 11:15 pasdite në rrugën “Milhal Grameno”. Blerta Bengasi ka hyrë në automjetin e saj dhe në këtë moment është goditur disa herë me grushte në fytyrë dhe mbrapa koke.
Festim Qoli është personi që ia ka ofruar si punë Nuredin Dumanit, i cili gjithashtu i ka mundësuar një takim Dumanit me Alban Bengasin.
Dumani ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasi, për të mësuar itenerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, ndërsa i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, pra personi i cili ka goditur Bengasin.
Një person tjetër rezulton i përfshirë në hetime, është shoku i Eljo Bitrit, i cili nuk është i identifikuar por akuzohet si ndihmës i tij, pasi ka qenë drejtues i mjetit me të cilin janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Top Channel