“Kronikë mbi garën për të zëvendësuar Linditën dhe të tjera ndezullira”/ Satira e Gjekmarkajt, zbulon arsyet e dorëheqjes së kryetares së Kuvendit

27/07/2024 12:45

Nga Agron Gjekmarkaj

Ikja e beftë e Linditës u prit me habi e njerzillëk. Babo ka nevojë që lufta e klasave të thellohet edhe më. Kohë jallane po trokasin. Aty i duhet një njeri pa temperaturë trupi.

Menjëherë përvajshëm kokat u ngritën dhe shikimet ranë mbi atë që deri dje njihej si Kosta i Gramozit dhe Linditës, i cili dukej prej dylli i zënë nën vete nga orteku i lajmit.

Në llozhë ai përvijohej më shumë ornamet se njeri.

Të gjithë pyesnin a do të bëhet Kosta i Gramozit, Linditës dhe Mamicës? Ai gati është të tërheqë si një lokomativë që lëviz nëpër shinat e pushtetit mbiemrat e të tjerëve si vagonë nga pas për t’u shndërruar në fillin e historisë.

Kronika po investohet që ai të mbetet sepse ajo nuk i tradhton personazhet e veta në ditë të vështirë, por i braktis ata kur ikona arrogance bëhen.

Pas ndodhisë, mazhoranca ra në përhumbje. Të gjithë shihnin ëndrra  në atë ore të vonë të natës me karrige kryetari që u kalonte para hundës si patë e pjekur me vaj, erëza e patate.

Vezullimi në sytë e Ermos i ngjante përthyerjes së dritës mbi gotën e kristaltë të sapo larë. Tezes i rridhnin lot gëzimi gati sa kur u shkreh në kakarisje e zali nga  humori plot kripë i Dash Sulës atje në mejhanë asaj pasdite, i cili i përkëdhelte atërisht. Antoneta Dhima mendonte ah sikur Babo asaj t’ja besonte krejt si burgun e Fierit kur qe drejtoreshë do ta bënte atë bina mbushur me mistrecë e trazovaçë.

Gjithësa më prishi si virus deshirën që të merrja fjalën për procedurë se ndërkohë një lajm i kobshëm po qarkullonte tutje-tëhu.

Po flitej se një dyzinë me ministra do i marrë kongresi me vete. Ne jemi mësuar tanimë t’i shohim ashtu të qashtër e plot namuz,  shëndetmirë e  topolakë, inteligjentë sa nuk thuhet , elokuentë deri në magjepsje, të ndershëm safi sa nuk besohet, të kënaqin shpirtin si shelegë tek kullosin në arat me bereqet të Shqipërisë. Nikoqiri mbajti pesë fjalime lamtumire.

Doja të pyesja nëse është marrë ndonjë masë për rehabilitimin tonë shpirtëror pas kësaj traume, si do ta përballojë Mond Spaho kaq i ndjeshëm, si do e bëjë gjumin Luan Baçi që tashmë pi xanaks, po Doktor Tritanit a do i lëvizë tensioni  e të thosha lavdi të rënëve, i përjetshëm kujtimi i tyre. Por jo, surpriza nuk më la kohë.

Ndërkohë, kronika ka plot halle të tjera. Ajo po përpiqet të rehatojë ministrat e rinj ja për shembull, Tonin  do ta bëjë ministër të temjanit, lutjes dhe përshpirtjes. Xhemalin për çështje të tabanit popullor, paqes, tasqebapit dhe të korrave.

Nasipin për kukurecin, ballin e kazanit dhe  hoshafin. Etilden, ah Etilden do rënkonte Dashi ynë i dreqit për atë dele perëndie, vezire të  melankolisë, marifetit e dhembjes njerëzore.

Bleron për meraqet, dëshirat dhe shpresat. Majkon për namuzin, marifetin dhe hajrin kombëtar. Shalsin për dyzenin, qyfyret, gjumin dhe arrat. Mimi di Puccini për kujtimet, dëshmitë dhe lajthitë. Gjeneral Kollçakun për psherëtimat, rënkimet e turfullimet. Etjenin për gjalpin, ëmbëlsirat dhe fiqtë. Lavdërim Krashin për kumbullat, livadhet dhe shtojzavallet.

Xhafen për  SPAK-un, merakun dhe qeleshet. Klodianën për tezgjahun, qilimat dhe perdet. Çuçin për mezetë, tavllen dhe vapën. Braçen për zukamat, hukamat dhe karkalecat. Dilua per vallet, sevdanë dhe ullinjtë. Ismet Beqiri per cjeprit, deshtë dhë isopolifoninë.  Damua dje ndihej i rëndësishëm e personazh kishte mbyllur marrëveshje me shef Oerdin. Si Danoç sillej lart e poshtë të tjerët i dukeshin miza.

Kryezëvendës Lideri Muli dje vërtitej poshtë e përpjetë si re e zezë gati për të lëshuar shkrepëtima e rrufe ndaj kujtdo që i vinte në diskutim autoritetin si Hyqymet në Parti. Shefe Albanen e bëri kurban që të dëgjonte mileti përreth  paçka se pas çdo hakërrimi xhani i  dhimbte, duhej  të kuptonin se kur qorton shefen ne të të tjerët çfarë jemi-pesë me hiç?! Jorushi i Tabakëve pas asaj furie gjeti ngushëllim vetëm pranë Gazit Liderit në perspektivë, i cili po priste të qarën që nuk mbërriti.

Jorushi po kalitet shpirtërisht. Ai i tha  asaj Hyqymeti na qorton se na do. Ka halle e s’ka nge për sentimentalizma. Dhurata Çupi po dobësohet fizikisht nga mendimet.

Saimir Korreshi hollohet nga koka e trashet nga barku qerratai aqësa Bora u tremb dhe klithi ujku ujku. Nallbati mërzitet se distanca me Mamicen do të rritet jo vetëm në largësi por edhe në lartësi. Xhela lepur vjen e ere ikën, fjalët e tepërta i duken fukarallëk.

Desh harruam Muçon, i cili nuk di të skuqet e zverdhet. Ai  foli dhe për mëshirë kristiane vetëm vëmendjen e Frrok Gjinit mori. Ndërsa për Salianjë ç’të themi, ku është ai ikën rehatia dhe të gjithë kruajnë kokën.

U zgjatem ca  po dita dje pat derte shumë.Na e bëni kabull.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA