SHBA, Tajvani dhe Kina në garë për përmirësimin e teknologjisë ushtarake të dronëve

26/07/2024 07:48

Këtë javë, ndërsa Tajvani po përgatitej për fillimin e stërvitjeve të përvitshme ushtarake “Han Kuang”, sistemi i tij i mbrojtjes ajrore zbuloi një dron kinez, që fluturonte mbi ishull. Kjo është hera e gjashtë që nga viti 2023 që Kina dërgon një dron për të operuar rreth Tajvanit.

Dronët si ai që fluturuan rreth Tajvanit, të cilët janë të ngarkuar me misione të dyfishta zbulimi dhe frikësimi, janë vetëm një pjesë e vogël e një prirjeje më të gjerë që po bën bujë nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme dhe ngushticën e Tajvanit. Kjo është një prirje që po ndryshon mënyrën e zhvillimit të luftës.

Rritja e rolit që luajnë mjetet ajrore pa pilot dhe shqetësimi në rritje për një pushtim kinez të Tajvanit, ishullit të pavarur me një qeveri demokratike, po shtyn Uashingtonin, Pekinin dhe Taipein të investojnë më shumë në teknologjinë e dronëve ushtarakë.

Strategjia e ferrit

Gushtin e kaluar, Pentagoni filloi nismën “Replicator” prej 1 miliard dollarësh, që ka për qëllim prodhimin e mijëra dronëve ajror, detar dhe tokësor, tha Njësia e Novacionit në Departamentin e Mbrojtjes. Pentagoni synon të ndërtojë këtë forcë dronësh deri në gusht të vitit 2025.

Nisma është pjesë e asaj që admirali amerikan Samuel Paparo e cilësoi së fundmi në një intervistë për gazetën Washington Post si strategjia “Hellscape” ose strategjia e ferrit, e cila synon t’i kundërpërgjigjet një sulmi kinez ndaj Tajvanit me një dislokim të mijëra dronëve në ajër dhe det midis ishullit dhe Kinës.

“Përfitimet e sistemeve pa pilot janë të mëdha për shkak të kostos së lirë dhe mundësisë për prodhim të tyre në shkallë të gjerë. Rrëzimi i një droni shkakton humbje financiare, por jo edhe viktima në njerëz”, thotë Zachary Kallenborn, studiues i politikave në Universitetin George Mason. “Ju mund t’i përdorni ato në një shkallë të madhe dhe të mposhtni kundërshtarët tuaj si dhe të degradoni aftësitë e tyre mbrojtëse.”

Strategjia “Hellscape”, shton ai, synon të përdorë shumë dronë të lirë në përpjekje për të penguar Kinën të sulmojë Tajvanin.

Gara e prodhimit të dronëve

Kina ka planet e veta në zbatim dhe është prodhuesi më i madh në botë i dronëve komercialë. Në një konferencë shtypi pas komenteve të admiralit Paparos për gazetën Washington Post, një zëdhënës qeveritar në Pekin paralajmëroi Uashingtonin se po luante me zjarrin.

“Ata që flasin me zë të lartë mbi kthimin e atdheut të të tjerëve në ferr, duhet të përgatiten vetë për djegien në ferr”, tha koloneli Wu Qian, zëdhënës i Ministrisë Kineze të Mbrojtjes.

“Ushtria Çlirimtare Popullore është në gjendje të luftojë dhe të fitojë në frenimin e ndërhyrjeve të jashtme dhe ruajtjen e sovranitetit tonë kombëtar dhe integritetit territorial. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj Kinës nuk funksionojnë kurrë.”

Përpjekjet e Kinës për të zgjeruar përdorimin e dronëve janë përforcuar, thonë analistët, duke përmendur theksin, që Presidenti Xi Jinping i vuri teknologjisë dhe modernizimit në ushtrinë kineze, në një takim të nivelit të lartë të partisë javën e kaluar.

“Ushtria e Kinës po zhvillon më shumë se 50 lloje dronësh me aftësi të ndryshme, duke grumbulluar një flotë prej dhjetëra mijëra dronësh, potencialisht dhjetë herë më të madhe se ato të Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara së bashku”, tha për Zërin e Amerikës Michael Raska, profesor në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit përmes një emaili. “Ky avantazh sasior aktualisht nxit modernizimin ushtarak të përshpejtuar të Kinës, me dronët e parashikuar për gjithçka, nga mbledhja e informacioneve të zbulimit në konfliktit deri tek përdorimi i tyre për sulme të shumta.”

Analistët shtojnë se supremacia tregtare e Kinës në prodhimin e dronëve ndihmon ushtrinë e saj në përmirësimin e teknologjisë së dronëve. Kompania kineze DJI dominon tregun e prodhimit dhe shitjes së dronëve shtëpiakë, duke zënë 76% të tregut botëror të dronëve në 2021.

Shkalla e prodhimit dhe çmimi i ulët i dronëve të kompanisë DJI mund ta vendosin Kinën në një pozicion të favorshëm në një luftë të mundshme me dronë, thonë analistët.

“Në Rusi dhe Ukrainë, nëse keni shumë dronë, edhe nëse ata janë të thjeshtë dhe komercialë, madje edhe dronët DJI që mund të blihen në një dyqan, përdorimi në numër të madh i tyre mund të krijojë probleme të mëdha për sistemet e mbrojtjes ajrore”, thotë Emilie Stewart, analiste kërkimore në Institutin e Studimeve të Hapësirës Ajrore të Kinës.

Kina mohon se po punon në përdorimin e teknologjisë komerciale dronëve për konfliktet e ardhshme.

“Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të ruajtur sigurinë globale dhe stabilitetin rajonal dhe gjithmonë ka kundërshtuar përdorimin e dronëve civilë për qëllime ushtarake”, tha për Zërin e Amerikës Liu Pengyu, zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington.

“Ne jemi kundër lidhjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Tajvanin dhe përpjekjeve të Uashingtonit për të armatosur Tajvanin.”

Ushtritë e dronëve

Me ndihmën e partnerëve të saj amerikanë, trysninë nga Kina dhe mësimet nga Ukraina, Tajvani është duke u përpjekur të zhvillojë aftësitë e veta luftarake me dron.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kryesor në zhvillimin e dronëve të Tajvanit dhe vetëm javën e kaluar u zotuan t’i shesin dronë sulmues me vlerë 360 milionë dollarë Zyrës së Përfaqësuesit Ekonomik dhe Kulturor të Taipeit, ambasadës de fakto të Tajvanit në Uashington.

“Tajvani do të vazhdojë të ndërtojë aftësi ushtarake frenuese dhe të punojë ngushtë me partnerë e tij, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Zyrës së Përfaqësuesit Ekonomik dhe Kulturor të Taipeit në Uashington lidhur me bashkëpunimin Tajvan-SHBA.

Përpjekja për të përfshirë dronët në mbrojtjen e saj është thelbësore për Tajvanin, thotë Eric Chan, ekspert në Institutin Global të Tajvanit.

“Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në këtë lojë masive të dronëve do t’i japë Tajvanit një avantazh më të madh në përpjekjet për të qenë në gjendje të zbulojë së pari armikun e tyre dhe së dyti, t’i ndihmojë ata të ndërtojnë aftësitë e tyre mbrojtëse”, tha eksperti Chan.

Duke marrë parasysh mundësinë e përdorimit nga Kina dronëve në një mjedis konflikti urban, Tajvani ka filluar ta kuptojë rëndësinë e rritjes së sistemit të tij të mbrojtjes nga dronët. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA