Rritet çmimi i ujit në Korçë, kryebashkiaku: Kompania ka një bilanc negativ, duhen mbuluar disa kosto

26/07/2024 15:59

Rriten tarifat e shërbimit dhe çmimi i ujit në Bashkinë e Korçës. Këshilli Bashkiak i Korçës, ka miratuar ditën e djeshme unifikimin e tarifave të shërbimit për fshatrat dhe qytetin si dhe rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për abonentët familjarë të fshatrave të bashkisë së Korçës.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo u shpreh se rritja e tarifave është e domosdoshme pasi rritja e investimeve dhe shpenzimeve ka sjellë bilanc negativ në kompaninë e Ujësjellësit.

“Pra në total nga 2016 deri në gjashtëmujorin e parë të 2024 janë arkëtuar 209 milionë lekë në fshatra SHA Ujësjellës Kanalizime dhe janë kthyer mbrapa në trajtë shpenzimesh dhe janë investime 966 milionë lekë me një defiçit – 736 milionë lekë. Është kollaj të bësh diskutime në ajër për tarifat por nga ana tjetër kompania duhet të ofrojë shërbime më të mira se ato që ka realizuar deri tani, duhet të kryejë edhe investime. Edhe kjo tarifë që propozohet nuk është se do të mbulojë kostot por minimalisht të zbutë bilancin negativ të kompanisë. Kollaj është të thuash mos paguhet fare por puna është si do furnizohen me ujë të pijshëm banorët. Dhe në këto vite për fshatrat e Bashkisë së Korçës është investuar në mënyrë të pjesshme ose të plotë në Drenove, Mborje, Drenovë etj. Kuptohet ka shumë probleme, ka nevojë për investime, për përmirësim të menaxhimit, por kjo është rruga”, tha ai.

Propozimi për rritjen e tarifave dhe çmimit të ujit ka hasur në kundërshtime nga ana e këshilltarëve të opozite e për rrjedhojë është shoqëruar edhe me debate.

Këshilltarja e Partisë së Lirisë Ismeralda Seidolli, për mediat deklaroi se rritja e tarifave vjen në një moment kur banorët janë në vështirësi ekonomike sidomos në fshatra. Sipas saj ka rritje për tarifat e ujit në më shumë se 40% të vlerës.

“Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Korçë i kërkoi Këshillit Bashkiak rritjen e disa tarifave të shërbimeve si në qytet ashtu edhe në zonat rurale të bashkisë. Në disa zona tarifa e ujit nga 28 lek shkoi në 50 lek dhe në disa zona të tjera nga 38 lek në 50 lek. Është rritur tarifa e ujit të përdorur në zonat urbane me 6 lek dhe tarifat e shërbimit duke u unifikuar në vlerën 200 lek. Rritja e tarifave është anormale për zonat rurale pasi sot fermerët nuk sigurojnë dot të ardhura për shkak të mosshitjes së prodhimeve. Nga ana tjetër, në fshatra sot kane mbetur vetëm të moshuar të cilët jetojnë me pensione. Rritja e tarifave prek familjet dhe shtresat në nevojë dhe nuk justifikohet nga Ujësjellës Kanalizime. Pasi në fshatra sot nuk ka ujë ose uji vjen me orar, por Ujësjellësi kërkoi dhe Këshilli Bashkiak vendosi rritjen e tarifave”, tha ajo.

Pavarësisht debateve kërkesa e kompanisë së ujësjellës kanalizimeve është miratuar me 20 vota pro nga 27 këshilltarë që ishin të pranishëm në mbledhje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA