Pas fitores në ndeshjen e parë në Rejkjavik, e vlefshme për kualifikueset e Ligës së Konferencës, Egnatia do të udhëtojë drejt Napolit, aty ku do të zhvillojë një duel miqësor me skuadrën e Antoino Contes, të dielën e 28 korrikut, në orën 20:00.
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, e ka komentuar këtë takim. Në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”, tekniku italian shprehet se Egnatia është një skuadër e fortë fizikisht, por që nuk krahasohet me Napolin.
Ai gjithashtu u shpreh se në kampionatin shqiptar, diferencën e bëjnë të huajt, por Egnatian e cilësoi si një skuadër që ka bërë gjëra të rëndësishme, duke u shpallur dhe kampione e Superiores.
“Unë jam relativisht i njohur me këtë ekip, është shfaqur vitet e fundit. Nuk ka krahasim me Napolin, vlerat janë absolutisht të ndryshme. Normalisht janë të huajt ata që bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Kanë arritur të bëjnë gjëra të rëndësishme, është një skuadër që është më e avancuar nga pikëpamja fizike, sepse tashmë ka luajtur në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, por Napoli është i një kalibri më të lartë”, tha ish-trajneri i Kombëtares shqiptare.
Top Channel