Në Parlament vijojnë debatet për reformën zgjedhore. Deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi, u shpreh se Rama nuk respektoi koalicionin e rrotacionit politik dhe se grabiti zgjedhjet e vitit 2021, kjo falë djegies së mandateve nga opozita në vitin 2019.
“Kjo sigurisht është seancë shumë e rëndësishme. Ajo që duhej thënë që në fillim është që Parlamenti Shqiptar dështoi të bënte reformë zgjedhore. Mazhoranca socialiste bllokoi reformën zgjedhore duke e mbajtur peng me vetëmohim për dy vjet. E bllokoi duke përdorur persona që nuk përfaqësonin forcën politike, të mandatuar nga opozita dhe pas dy vitesh dështoi çdo përpjekje të fundit për një reformë zgjedhore në dy pika kryesore: rekomandimet e ODIHR-it dhe e një marrëveshje politike, ajo e 5 qershorit 2020, e dakordësuar me konsensus, e firmosur këtu nga PS dhe PD. E përshëndetur nga sekretari i SHBA-ve, i cili kërkoi kodifikimin e asaj marrëveshje. E përshëndetur nga Komision Europian. U thye marrëveshja brenda një muaji.
Çfarë thoshte marrëveshja? Nuk ndryshohet sistemi zgjedhor. Çfarë kërkoi sekretari i shtetit? Kodifikoni këtë marrëveshje. Dhe Edi Rama e theu. Por çfarë bëri? Hoqi koalicionin, që të gjithë e dinim çfarë vlere kishte. Është koalicioni me organizmin që është garantuar rrotacioni politik. Në vitin 2005 erdhi opozita në pushtet, në vitin 2013 erdhi opozita në pushtet.
Edi Rama e dinte shumë mirë që ai ishte koalicioni që garantonte ikjen e tij nga pushteti në 2021. Po unë sot këtu dëgjova të flasin ata të cilët brohoritën, kërkuan, ekzekutuan mandatet e opozitës në vitin 2019. Mos të kishte ndodhur ai vendim, sot ky debat në këtë Parlament nuk do të ndodhte, sepse s’do të guxonte Edi Rama të përdorte ata që erdhën më pas në këtë Parlament.
Nuk do të ndryshonte Kushtetutën dhe t’i grabiste fitoren opozitës në 2021-shin. Në qoftë se nuk do të ndodhte 2019, ku u dogjën mandatet dhe nuk u futën në zgjedhje, sot ky debat nuk ndodhte, sepse do të vazhdonim me rregullat që garantonin rrotacionin politik. Nuk do të kishim as ndryshim të Kushtetutës, as ndryshim të sistemit zgjedhor të vitin 2020.
Këtu flet një person, i cili mbylli çdo lloj… Nuk po flas për Edi Ramën, ai është lideri i opozitës që mbylli çdo lloj gare demokratike, në Partinë Demokratike. Duhet të ikte ai, ta përzinin demokratët, që të ndodhte një garë dhe të votoheshe brenda për brenda.
Nëse sot ne diskutojmë, pikërisht për problemin themelor… flasim këtu për Sistemin Zgjedhor sikur është zgjidhja… Po përpiqemi ne në opozitë të fusim primaret, të fusim votimet, por goditemi nga ana tjetër. Arrestohet lideri i opozitës, i mbahet peng vula, i hiqet mundësia të garojë me emrin e saj”, tha si fillim Bylykbashi.
Më pas ai iu drejtua dhe partive të vogla të cilat po ndjekin shembullin e Partisë Socialiste dhe nuk po kryejnë votime brenda për brenda, duke e kthyer sicc e quan ai, në një “one-man show”.
“Nga ana tjetër në mazhorancë, vdekje totale. Partitë e vogla gjithashtu. Kthyer rregullisht në “one-man show”. Modelin e marrin dhe partitë e reja të vogla. Nëse ne nuk zgjidhim këtë, nëse nuk detyrojmë partitë e vogla politike me ligj që të bëjnë gara të brendshme dhe të përcaktojnë kandidatët që do i përfaqësojnë, sigurisht kjo do të ketë pasoja.
E kam provuar çfarë do të thotë të garosh brenda një partie, të marrësh dhe votat e anëtarëve të partisë, si unë dhe kolegë të tjerë. Nëse ne nuk e institucionalizojmë këtë, sistemi zgjedhor është i vdekur pa lindur. Por kjo që ndodh sot, e përsëris edhe njëherë, nuk ka reformë zgjedhore. Asgjë për shit-blerjen e votës, asgjë për presionin mbi zgjedhësit, asgjë për të ndaluar shtetin që të pushtojë zgjedhjet. Pa këto nuk ka reformë zgjedhore. Absolutisht dakord me kolegun Bardhi, që tha OSBE-ja duhet të dali dhe të mbajë qëndrim për vendimet e saj.
Po ashtu e kam dhe për partnerët e tjerë ndërkombëtar, të cilët ishin aty kur u nënshkrua dhe e mbështetën marrëveshjen e 5 qershorit dhe sot nuk flasin. Edhe njëherë kolegë, po të mos ndodhte 2019, sot ne nuk do të ishim të detyruar për të korrigjuar një shëmti që ndodhi në vitin 2020.
Dëgjuat këtu dike që foli për pazar, ndërkohë që kam qenë dëshmitar vetë të atij pazari të shëmtuar të 2017-ës, kur në atë Pazar la koalicionin e opozitës, kur duke djegur mandatin i dha mundësinë Edi Ramës të ndryshonte kushtetutën. I ulur në tavolinë për t’i legjitimuar mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës, edhe pse i tha mos e bëj”, shtoi më pas deupteti i opozitës.
Lidhur me kodin zgjedhor, Bylykbashi tha se me listat e hapura do të jenë 140 deputetë që garojnë pa asnjë prag.
“Me sistemin që bëri PS në tetorin e 2020, pasi ndryshoi Kushtetutën, vetëm tre persona arritën të prishnin renditjen. U lodhën shqiptarët, votuan për ata, por vetëm tre persona e thyen. Nëse do të shkonim me propozimin që bëri PS-ja kësaj radhe, për ta çuar nga 10 mijë në 7 mijë pragun zgjedhor, bashkë me ata të tre edhe tre të tjerë, gjashtë gjithsej, lodheshin shqiptarët për të votuar individualisht, por vetëm 6 veta do kapërcenin. Por me këtë sistem janë 40 veta SPAK-u, do të zgjidhen me votën drejtpërdrejt të qytetarëve.
Do të ketë garë me 140 deputetë, në garën me lista të hapura, pa asnjë prag. Mjafton një votë më shumë. Do të mjaftohej për të fituar shumicën e këtyre 40 vetave. Tani thonë që 40 është më e vogël se 6. Po çfarë matematike është kjo?
Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, kudo, të gjithë do të garojnë me ato mandatet e lira për të përmbysur statuskuon. Kush hyn, hyn për të fituar”, tha Bylykbashi.
Top Channel